Deputetët e Listës Serbe që nga 23 qershor i këtij viti nuk janë parë në Kuvendin e Kosovës.
Përveç tyre, edhe kreu i kësaj partie, Goran Rakiqi, i cili është ministër për Kthim dhe Minoritete në Qeverinë e Kosovës, nuk ka dal në vendin e tij.
Ani pse janë bërë katër muaj që nga bojkotimi i punës në institucionin legjislativ të Kosovës, deputetët serbë vazhdojnë të marrin pagat nga buxheti i shtetit të Kosovës, hiq më pak se 1547 euro në muaj, raporton arbresh.info.
Ndërsa, që nga seanca e 30 qershorit deputetët e Listës Serbe kanë preferuar të qëndrojnë më shumë në Beograd sesa në Kosovë, e aq më pak, në vendin e tyre të punës, Kuvendin.
Kështu, sipas të dhënave që ka siguruar arbresh.info nga Kuvendi i Kosovës, janë gjithsej 20 seanca në të cilat deputetët e Listës Serbe kanë munguar pa dhënë ndonjë arsye, ndërkohë paga e tyre mujore procedohet normalisht.
Rakiqit me shokë, natyrisht se këto manovrime pa arsye me pjesëmarrje në seanca plenare ia lejon vetë rregullorja e Kuvendit, e cila mundëson mos pjesëmarrjen e deputetëve në seanca deri në gjashtë muaj. Pas kësaj periudhe deputeti e humb mandatin e tij në qoftë se pa arsye nuk merr pjesë në seanca të Kuvendit.
Kjo më së miri shpjegohet në nenin 25, pika parë e rregullores së Kuvendit të Kosovës.
“1. Deputeti i Kuvendit e humb mandatin, nëse: e) në periudhën gjashtëmujore nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit. Nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen Kryetarit të Kuvendit, Kryetari e kërkon rekomandimin e Komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Pas rekomandimit të Komisionit Kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit. Kuvendi vendos për çështjen në mbledhje të radhës,”, thuhet në rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Njohës të çështjeve politike thonë se ky është një problem politik brenda dialogut me Serbinë.
Ramadani: ‘Bojkoti’ deputetëve serbë do të ndalet para 6 muajve për të parandaluar humbjen e mandatit, për t’u vazhduar përsëri
Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani për arbresh.info, thotë se arsyet kryesore të mospjesëmarrjes së deputetëve serbë në Kuvend, janë problemet që ka Kosova me Serbinë.
Në një bisedë për arbresh.info, Ramadani theksoi se pa u arritur një marrëveshje apo zgjidhje finale me Serbinë, vështirë që do të rregullohet ky problem dhe të ndërpritet.
“Ky është një problem politik brenda dialogut me Serbinë, dhe në rast të një marrëveshjeje me Serbinë, do të zgjidhet edhe ky problem. Përderisa ka mospajtime të tilla me Serbinë rreth çështjes së targave, reciprocitetit dhe vendimit të policisë në veri, atëherë problemet dhe tensionet mes qeverisë dhe deputetëve serbë, të cilët janë edhe partnerë të koalicionit kanë me qenë të tensionuara.” – deklaron Ramadani.
Duke kritikuar qeverinë për qasjen konstruktive të saj në raport me deputetët dhe zyrtarët serbë, ai theksoi se ky ‘bojkot’ i serbëve ndaj institucioneve të vendit do të ndalet para se të bëhen 6 muaj, për t’u vazhduar përsëri pasi të nënshkruhen në një seancë.
“Para pak javëve e gjithë qeveria thoshte se ai që nuk punon nuk paguhet, ndërkohë që ka 4 muaj që nuk kanë dalur deputetët serbë fare në vendin e punës, por jo vetëm ata, edhe zyrtarët qeveritarë dhe qindra serbë në administratën shtetërore që paguhen qe shumë vjet pa bërë asnjë ditë punë. Ky bojkot i Listës Serbe nuk mendoj se do të zgjasë gjashtë muaj, për shkak se ata mund të shkojnë një ditë në Kuvend, e ndërpresin atë periudhën e mungesës që e kanë pasur, dhe më pas e vazhdojnë përsëri të njëjtin veprim”, shprehet Ramadani.
Ai e konsideron të papërgjegjshme mungesën afatgjate në Kuvend për secilin deputet, duke shtuar se rregullorja fillimisht është bërë për deputetët që janë të sëmurë, apo kanë probleme të ndryshme të arsyeshme.
Në fund, Ramadani kërkon që Kuvendi marrë masa në këtë drejtim.
“Normalisht që është e papërgjegjshme dhe e papranueshme sepse një gjë e tillë është paraparë për deputetët që kanë probleme shëndetësore dhe për arsye objektive nuk mund të marrin pjesë në Kuvend, por, në rast se ajo bëhet një gjendje kronike apo e vazhdueshme, atëherë sigurisht se duhet të merren masa nga Kuvendi.” – përfundoi Ramadani për arbresh.info.
Maliqi: Kuvendi duhet të rregullojë mospjesëmarrjen pa arsye!
Në anën tjetër edhe analistja politike, Afërdita Maliqi, pohon se këto janë lojëra të Listës Serbe ndaj institucioneve të Kosovës dhe tashmë janë të njohura.
Megjithatë ajo për arbresh.info thotë se Kuvendi si institucion legjislativ duhet të rregullojë mospjesëmarrjen pa arsye.
Ajo kritikoi Kuvendin për hezitimin që ta zgjidh këtë problem, meqë edhe kohëve të fundit Kuvendi ka bërë ca ndryshime në rregulloren e tij, pa e rregulluar mospjesëmarrjen e deputetëve nëpër seanca.
“Lojërat e Listës Serbe karshi institucioneve tashmë janë të njohura. Rregullorja e Kuvendit ju lejon pagesën deri në 6 muaj për mospjesëmarrje të deputetit. Kuvendi me sa kam njohuri e ka amandamentuar rregulloren e Kuvendit. E ka pas rastin të zgjidh edhe këtë problematikë. Pra, Kuvendi duhet të rregullojë mospjesëmarrjen pa arsye!” , u shpreh Maliqi.
Lista Serbe paralajmëron thirrje për rezistencë
Ndërkohë më 3 nëntor, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, paralajmëroi se do të propozojë largimin e përfaqësuesve serbë nga të gjitha institucionet të Kosovës, për shkak të suspendimit të drejtorit rajonal të policisë në veri, Nenad Gjuriq.
Siç thuhet në njoftim, Rakiq për të shtunën ka caktuar një takim urgjent, në të cilin do të propozojë që përfaqësuesit e serbëve të largohen nga institucionet e Kosovës në veri.
Ndryshe, deputetët e Listës Serbe, të dirigjuar drejtpërdrejtë nga shteti serb, gjegjësisht presidenti Aleksandar Vuçiq, janë deputetët më të parregullt në Kuvendin e Kosovës që nga krijimi i kësaj partie në vitin 2013.
Shumë shpesh ata kanë munguar në seanca, ndërsa në të njëjtën kohë nuk i kanë ndalur takimet me eprorin e tyre, Vuçiqin në Beograd.
Madje, ata kanë ditur të jenë problematikë dhe vendimtarë edhe në zgjedhjen e qeverive në Kosovë, ku vitet e kaluara është dashur të pritet me muaj për ardhjen e tyre në Kuvend, ardhje e cila nënkuptonte votë për formimin e qeverisë së Kosovës./ arbresh.info EmirAbduramani/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...