Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka dështuar të mbajë mbledhjen e radhës në mungesë të kuorumit, ndërsa edhe pse kishte për të diskutuar nismën legjislative për Projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, u tha se kjo pikë ishte gabimisht në agjendë.
Përderisa javën e kaluar komisioni kishte miratuar nismën për procedim të projektligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Qeveri, anëtarë të këtij komisioni kërkuan përgjegjësi për gjendjen aktuale të kullave të Jasharajve.
Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, Liburn Aliu, tha se dikush duhet të japë përgjegjësi për gjendjen e rëndë të këtij kompleksi.
“Nëse ka pasur financa të ndara dikur, e nuk ka ndodhë asgjë, nuk kemi progres në këtë Kompleks Memorial, natyrisht se dikush duhet të japë përgjegjësi”, tha ai.
Ai bëri të ditur se ky projektligj ka qenë edhe në legjislacionin e kaluar, porse për shkak të zgjedhjeve të parakohshme nuk është përfunduar. Teksa u shpreh i bindur se meqenëse drafti është gati, nuk do të ketë vonesa.
“Meqenëse ky draft është shqyrtuar në hollësi, nuk ka pse të ketë ndonjë vonesë të madhe. Mendoj se brenda pak ditësh do të jetë në Qeveri nga ana e Kuvendit, pra nga ana e Komisionit është gjithçka gati”, sqaroi ai.
Edhe zëvendëskryetarja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari e Planifikim Hapësinor, Besa Gaxherri, kërkoi që të bëhet auditimi i financave lidhur me Kompleksin “Adem Jashari”.
“Duhet të bëjmë monitorim të mjeteve të cilat janë shpenzuar, njerëzit përgjegjës të cilët paratë nuk i kanë dedikuar aty ku i kanë ndarë taksapaguesit e Republikës të Kosovës, dhe ta çojmë në përgjegjësi sepse kështu nuk shkon. Janë bë tash 20 vjet e që çdo vit Republika e Kosovës ka dhënë mjete për këtë kompleks e ta kemi tash në rrezik të rrënimit të atyre simboleve të cilat gjithë ne duam t’i mbrojmë, atëherë me të vërtetë janë të pafalshme”, tha ajo.
Ndryshe, Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të premten procedoi për në qeveri projekt-ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, i cili së shpejti pritet t’i kalojë procedurat në qeveri e dhe pastaj të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.
Teksa vet iniciuesi i peticionit për shpëtimin e këtij Kompleksi, Jusuf Thaçi njoftoi përmes rrjeteve sociale se ky problem është drejt zgjidhjes.
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...