Deputetët e pozitës dhe opozitës injorojnë seancat, bllokohen shumë ligje

10:00 | 27 Maj 2023
K.B

Dështimi i seancave të njëpasnjëshme në Kuvendin e Kosovës në mungesë kuorumi, ka bërë që shumë nga krerët politik të reagojnë ashpër.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk e kryejnë obligimin e tyre për të dal në vendin e tyre punës.

Për këtë, si pozita, ashtu edhe opozita fajin ia lënë njëra-tjetrës, raporton Arbresh.info.

Pasojat për këtë po i bartin qytetarët e Kosovës.

Kështu thotë për Arbresh.info, Naim Jakaj, Hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), pasi sipas tij, kjo pasi shumë ligje po mbesin pa u votuar.

“Dëmet e mos punës së Kuvendit janë duke u bartur te qytetarët. Kemi rastin e kodit Civil, i cili nuk kaloi, kemi rastin me ligjin e pagës minimale, i cili ka mbetur në procedurë të brendshme parlamentare dhe që nuk po procedohet për në seancë plenare, kemi tash rastin me kontestimin e një nenit të buxhetit nga ana e pozitës dhe opozitës për bartjen e mjeteve vetanake të pashfrytëzuara të komunave”, deklaroi Jakaj.

Sipas Jakajt, njëra nga arsyet e dështimit të seancave është mungesa e konsultimeve publike.

“E kemi thënë në Raportin për Monitorimin e Punës së Kuvendit, se puna e Kuvendit është karakterizuar nga mungesa e kuorumit në vendimmarrje, nga mos efikasiteti në miratimin e projektligjeve, nga mungesa e konsultimeve të mjaftueshme publike, nga më shumë se 54 vazhdime të seancave, të cilat disa ende nuk kanë përfunduar. Më tutje, kemi dështimin e Kuvendit në miratimin e raporteve vjetore të institucioneve kushtetuese dhe agjencive të pavarura, po ashtu edhe dështimin e Kuvendit që në 18 raste të zgjedhë organet kolegjiale dhe inviduale, duke bërë pengesë të funksionimit të tyre”, potencoi Jakaj për Arbresh.info.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi thotë se pritjet kanë qenë të mëdha nga kjo legjislaturë, por sipas saj, ka dështuar për shkak të problemeve pikërisht brenda grupit të LVV-së.

“Pritjet nga kjo legjislaturë kanë qenë më të mëdha për shkak edhe të një shumice parlamentare më të konsoliduar në numra, fatkeqësisht, ka rezultuar të jetë dështim. Tani po bëhen dy javë që Kuvendi nuk ka organizuar fare seanca për shkak të mungesës së kuorumit, sigurisht edhe problemet që i kanë brenda grupi i mazhorances pra LVV”, thotë Musliu-Shoshi.

Sipas saj, Kuvendi ka dështuar edhe në shqyrtimin dhe diskutimin e punës së Qeverisë në përgjithësi.

“Po ashtu, duhet të kemi parasysh që Kuvendi ka dështuar në plotësimin e obligimeve siç është edhe mbikëqyrja, shqyrtimi dhe diskutimi i punës së Qeverisë në përgjithësi. Pra, ka dështim në monitorim te konkurset për borde, zbatimi të politikave qoftë ligj apo strategji”, shprehet Musliu-Shoshi për Arbresh.info.

Deputetja e PDK-së, pohon se në Kuvend po cenohet funksionimi transparent, për shkak se nuk po publikohet se cili deputet ka votuar për pikat e rendit të ditës.

Siç thotë Musliu-Shoshi, publikimi i votës parashihet me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Mungesa e votimit elektronik po e cenon funksionimin transparent por edhe llogaridhënien e Kuvendit. Kështu, vullneti i përfaqësuesve të qytetarëve, i shprehur nëpërmjet votimit individual mbetet i panjohur për qytetarët, meqë Kuvendi nuk po e publikon informatën se si secili deputet ka votuar lidhur me pikat e rendit të ditës, ashtu siç parashihet me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Sidoqoftë, opozita ka treguar një rol konstruktiv, duke marrë pjesë në votimin e çështjeve që kërkojnë 2/3 e votave, siç është rasti i marrëveshjeve ndërkombëtare dhe votimet në komisione parlamentare”, deklaroi Musliu-Shoshi për Arbresh.info.

Rexha i VV-se krenohet: Statistikat tregojnë se në këtë legjislaturë janë ka mbajtur më së shumti seanca

E krejt ndryshe thotë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rexha.

Ai arsyetohet se dështimi i seancave të kësaj legjislature nuk mund të krahasohet me ato të kohës kur shteti udhëhiqej nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Sipas tij, statistikat tregojnë se legjislatura e tanishme ka mbajtur më së shumti seanca se ato të kaluarat.

“Kuvendi i Kosovës si kurrë më parë krahasuar me legjislaturat e kaluara, pra të qeverisë së Avdullah Hotit, të PAN-it dhe të qeverisë paraprake, kanë mbajtur më së shumti seanca, kjo mund të vërehet edhe nga statistikat”, shprehet Rexha për Arbresh.info.

Ai, thotë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE) ka bërë që deputetët të lobojnë jashtë vendit dhe kjo sipas Rexhës, ka bërë që deputetët të mungojnë në sallën e Kuvendit, e seanca të dështojë.

“Normalisht në seanca të caktuara ka pasur mungesë të deputetëve si prej pozitës dhe prej opozitës, mirëpo tashmë në Kuvendin e Kosovës kemi një vendim të partive opozitare të cilët pra nuk marrin pjesë në votim prandaj edhe kur kemi deputet të cilët janë jashtë vendit në detyrat e tyre zyrtare, sidomos kur Kosova aplikoj në Këshillin e Evropës, pati delegacione të deputetëve të cilët shkonin në e lobonin atje. Normalisht në këtë rrethanë pati edhe mungesa sepse pozita kur ka deputet jashtë pastaj realisht po ka mungesë të deputetëve në kuvend dhe mospjesëmarrja në votime e opozitës sigurisht e dështon atë seancë”, potencoi Rexha.

Përkundrazi, sipas deputetit të LVV-së kjo legjislaturë në këtë mandatë ka votuar rekord ligjesh.

“Unë nuk mendoj që ritmi i Kuvendit të Kosovës është në ulje. Kjo është më shumë një precesion që po dëshiron ta krijoj opozita dhe fakti dhe argumenti për këtë është ky: Kjo legjislaturë në sasi të ligjeve ka kaluar aq shumë ligje sa që as në Kuvendet e kaluar nuk ka pasur ligje më shumë”, u shpreh ai.

KMDLNJ: Qeveria e Kosovës është bërë më Kuvend se vet Kuvendi i Kosovës

Për mungesat e vazhdueshme të kuorumit, ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut – KMDLNJ.

Në reagimin e tyre publik thuhet se përkundër se nuk mbajnë asnjë seancë, deputetë vazhdojnë të kenë përfitime të shumta.

“Kuvendi i Kosovës ka mandat kushtetues dhe ligjor ta mbikëqyrë punën e qeverisë së Kosovës dhe po ndodhë pikërisht e kundërta; Qeveria e Kosovës është bërë më Kuvend se vet Kuvendi i Kosovës kurse kryefolësi i Kuvendit është bërë zëdhënës i qëndrimeve politike të qeverisë së Kosovës duke respektuar rreptësishtë hierarkinë; se pari deklarohet kryeministri pastaj, me një vonesë të vogël ia vërteton kryetari i i Kuvendit”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Bllokimi i Kuvendit ka bërë që marrëveshja ndërkombëtare për Ngrohjen Qendrore Solare ka mbetur pa kaluar tash e disa muaj pasi që nevojiten 80 vota pwr tw kaluar kjo marrëveshje.

Në lidhje me këtë, ministri i Financave Hekuran Murati ka akuzuar opozitën.

“Njëri nga projektet që po pret dritën e gjelbër të Kuvendit, është edhe ai për Ngrohjen Qendrore Solare. Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes. Ka edhe marrëveshje tjera të ngjashme siç është ajo për nënstacionet e KOSTT në vlerë prej 25.5 milionë euro (plus 9 milionë euro tjera grant ne pritje), apo marrëveshja me OFID në vlerë 40 milionë USD, që po ashtu presin për dritën e gjelbër të Kuvendit. Pra janë mbi 150 milionë euro në pritje për të marrë dritën e gjelbër nga Kuvendi. Ka shumë mënyra për të bërë opozitë. Mirëpo bllokimi i marrëveshjeve që janë në të mirë të qytetarëve nuk do duhej të ishte njëra nga to”, ka shkruar Murati në Facebook.

Kuvendit të Kosovës tash e dy javë u janë bllokuar seancat plenare. Kjo për arsye të mungesës së deputetëve./ Arbresh.info /Ejona Hyseni/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme