Deputetët e papërgjegjshëm e me paga të majme

08:13 | 7 Qershor 2019
Arbresh.info

Përplasjet dhe akuzat mes deputeteve të  Republikës së Kosovës, nuk mungojnë thuajse në asnjë seancë. Në mungesë të sprejit dhe gazit lotsjellës, të pranishme në Kuvendin e Kosovës janë në vazhdimësi fyerjet dhe përplasjet mes deputetëve.

Kuvendi i Kosovës, shpesh është cilësuar edhe si një ‘Shoë televiziv’ nga qytetarët, ku përplasjet e tyre janë shndërruar në humor.

Krejt çka mungon brenda  sallës së Kuvendit,  sipas organizatave që përcjellin punën e këtij institucioni është  puna për të cilën ata janë votuar.

E debatet brenda Kuvendit të Kosovës shumë herë kanë eskaluar edhe ofendime, shpesh duke harruar temën kyçe për të cilën është e thirrur ajo seancë.

E të gjitha këto debate të cilat nuk përkojnë me realitetin, apo hallet e qytetarëve të Kosovës, nga shoqëria civile po shihen si papërgjegjësi e tyre, që nuk arrijnë të arsyetojnë pagat e majme që i marrin.

Se Kuvendi i Kosovës ka një dinamikë shumë të ulët të punës e thotë edhe hulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës, Agnesa Haxhiu.

Në një prononcim për arbresh.info ajo tha se shumë pika kanë mbetur pa u votuar si shkak i debateve parlamentare me tema jo fort të zakonshme, ku edhe e kanë lënë anash zhvillimin e seancës.

“Kuvendi i Kosovës në përgjithësi gjatë këtij viti është karakterizuar nga një dinamikë shumë e ulët të punës, ku secila seancë që është inicuar nuk ka arritur të përfundoj për mungesë kuorumi, me 59 pika të rendit të ditës që janë bartur nga një seancë në tjetrën që nga tetori i vitit 2018. Prej tyre 30 pika janë shqyrtim i projektligjeve në shqyrtim në parim ose në shqyrtim të dytë. Në anën tjetër numri i madh i seancave të jashtëzakonshme të mbajtura për këtë periudhë (janar – prill ) kryesisht me debate parlamentare me tema që jo çdo herë kanë qenë të jashtëzakonshme, ka lënë anash zhvillimin e seancave plenare me një sërë pikash që kanë mbetur të papërfunduar. Që nga fillimi i sesionit të ri pranveror, Kuvendi i Kosovës ka miratuar gjithsej 18 ligje apo 13% të agjendës legjislative. Edhe pse jemi gati në fund të muajit maj, Kuvendi ende nuk e ka miratuar plan – programin e punës për vitin 2019 por bazuar në programin legjislativ të Qeverisë si dhe projektligjeve që janë bartur nga viti i kaluar, Kuvendi do të ketë për shqyrtim 134 projektligje, që do të jetë shumë sfidë për Kuvendin që të përmbushet një agjendë e tillë për shkak të bllokadës në të cilën gjendet”

Ndërsa analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se akuzat mes deputetëve i sheh si mungesë e ideve për të quar përpara çështje të caktuara.

Sipas Mushkolajt shpifjet dhe akuzat e ndryshme që deputetët i bëjnë ndaj njëri-tjetrit janë të pafalshme, pasi siç thotë ai, ata nuk janë votuar nga populli që të dëgjohen vetëm akuza brenda Kuvendit të Kosovës.

 “Akuzat e deputetëve mes vete më shumë i shoh si mungesë e ideve dhe alternativave politike, për me i çu përpara çështjet e caktuara, edhe bllokim të çështjeve reale që kanë të bëjnë me qytetarët. Kështu që kur nuk po kanë ide, po lëshohen akuza edhe po krijojnë një situatë shumë të papërshtatshme, për shkak se qytetarët nuk i kanë votuar ata për me dëgju akuza, kundërakuza, shpifje ndaj njëri-tjetrit, ata janë të votuar për me u marr me miratimin e ligjeve dhe rregullativa tjera ligjore që i rregullon çështjet, domethënë është shumë e pafalshme që këta njerëz e kanë zgjedh këtë gjuhë edhe këtë mënyrë funksionimi për me i arsyetu pagat e majme që i marrin, ndërkohë që pagat dhe përgjegjësinë që e kanë për votues  do të duhej ta arsyetonin në forma tjera, pikërisht duke marr iniciativa e duke miratu ligje, për këto edhe janë votuar”, ka thënë Mushkolaj.

Kurse analisti Faton Abdullahu thotë se ky koalicion nuk ka shpresa.

“Është quar shumë pluhur për shumë gjëra, për shumë procese, për shumë afera, por asnjëherë nuk është bërë një e mirë që ja vlen të ceket, efektet e së cilës e kanë përmirësuar drejtpërsëdrejti jetën e qytetarit. Të gjitha debatet në Kuvend janë debate për ta ngjallur apo eklipsuar një proces që shkon në dobi të përfitimit të një apo klani tjetër të një apo partie tjetër, por jo për të mirën e qytetarit. Zhgënjimi i qytetarit është më i madh se mashtrimi i këtij koalicioni. Ky koalicion nuk ka shpresa”, u shpreh ai.

Ndër debatet më të zëshme kanë qenë veprimet e pjesëtareve të UÇK-së, ku pati diskutim të ashpër mes nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti dhe deputetit të LDK-së, Anton Çuni.

Nënkryetari Haliti u irritua nga deklaratat e deputetit Quni pasi ai tha se i kishte marrë 8 milionë marka gjermane nga Ahmet Krasniqi në kohë lufte. Ndërsa përgjigja e Halitit ishte se Quni nuk di asgjë lidhur me zhvillimet e luftës.

Por, durimi duket si i ishte sosur Xhavit Halitit kur u përplas me deputetin tjetër nga radhët e LDK-së, Arbren Gashin.

Deputeti Gashi reagoi duke i thënë Halitit “Balosh ama fjalën”, ”mashtrues”.

E në këtë rast as kryesuesi Haliti nuk e kurseu Gashin nga ofendimet.

Veç ofendimeve e përplasjeve, duket se dikush kishte vendosur t’i hapte dosjet e vjetra.

Dardan Molliqaj nga PSD, ka akuzuar ish-bashkëpartiakun e tij, Glauk Konjufcën se ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), e përgjigja e Konjufcës ishte se kjo është një tematikë e lodhtë e deputetit Molliqaj.

Nga akuzat e deputetes Mimoza Kusari-Lila, se Haradinaj po e dëmnton vendin karshi vendeve tjera të Evropës, Haradinaj ia kthehu Kusarit me një përgjigje interesante, duke i thënë “Unë nuk di me kërcy para Gadafit”.

Ndërsa përgjigja e Kusari-Lila ishte se kryeministri nuk po përdor gjuhën e duhur brenda Kuvendit të Kosovës. /arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme