Google ADS

Deputetët e Kosovës fajësojnë Serbinë për dështimin e zgjedhjeve në veri

16:29 | 22 Prill 2024
KRG

Mbi 46 mijë qytetarë kanë pasur të drejt vote për shkarkimin apo jo të kryetarëve shqiptarë të zgjedhur me 23 prill 2023 në katër komunat veriore Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, raporton Arbresh.info

Mirëpo, vetëm 253 votues të dielën kanë marrë pjesë në këto zgjedhje, të cilat edhe sipas Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve (KQZ), janë konstatuar të dështuara.

Deputetët e Kosovës, për mos daljen e qytetarëve serbë në zgjedhje fajësojnë Serbinë.

Sipas tyre Serbia përmes mekanizmave të saj ka pasur ndikim në këto zgjedhje, përcjell Arbresh.info.

Tahiri i PDK-së: Dje nuk u zgjodh asgjë, BE vazhdon ti shoh kryetarët si jo legjitim

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka deklaruar se ndërhyrja e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në punët e brendshme të Kosovës është i dëmshëm për të dyja shtetet në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ai potencoi se dje nuk u zgjodh asgjë dhe sipas tij Kosova vazhdon të ketë probleme.

“Po e shohim çdo herë e më shumë involvimin e presidentit të shtetit fqinjë në çështjet tona të brendshme që është e papranueshme. Komuniteti ndërkombëtar duhet ti hap sytë përball një involvimi kaq të madh dhe shumë të dëmshëm për të dyja shtetet edhe për Kosovën edhe për Serbinë në rrugën tonë evropiane që u bëhet instrumenalizimit të qytetarëve të komunitetit serb në atë pjesë. Nuk u zgjedh asgjë, problemi është në derë, Kosova vazhdon të ketë problem dhe dita e djeshme nuk ka zgjedh asgjë fatkeqësisht. Pra ne vazhdojmë të kemi një situatë shumë të pafavorshme sepse Bashkimi Evropian vazhdon ti sheh si kryetar jo legjitim njerëzit që janë zgjedhur me 2 për qind të votave të atyre qytetarëve dhe në anën tjetër vazhdojmë të sfidohemi në vazhdimësi me një çështje të tillë”, ka deklaruar Tahiri i PDK-së.

Mundësia e shkarkimit të kryetarëve aktual në veri dhe mbajtja e zgjedhjeve në atë pjesë ishte kriter kyç për largimin e masave që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës rreth një viti më parë.

Sipas BE-së, kryetarët verior janë jo legjitim ndërsa Tahiri ka theksuar se masat ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë sepse ato i sjellin probleme vetëm qytetarëve të vendit dhe jo Qeverisë.

“Ajo çfarë ne kemi kërkuar në vazhdimësi nga zyrtarët e BE-së me vizitat tona në Bruksel ka qenë që sa më parë masat të hiqen sepse ato po i paralizojnë qytetarët e Kosovës. Pra mungesa e fondeve, mungesa e investimeve është penalizmi për qytetarët jo për Qeverinë Kurti, pra dëmi po ju bëhet qytetarëve. Po dëmtohet e ardhmja jonë evropiane. Po bëhen një vit që kur jemi nën seksione dhe vetëm vitin e kaluar jemi privuar nga e drejta e shfrytëzimit të mbi 300 milionë eurove”, ka deklaruar Tahiri.

Kusari-Lila: BE duhet sa më parë ti heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës – Serbia s’e ka për qëllim stabilitetin e marrëdhënieve

Shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Serbia përmes Listës Serbe po e pamundëson integrimin e serbëve të veriut të Kosovës.

Sipas saj, organizimi zgjedhor i djeshëm në katër komunat veriore është cilësuar i drejt e korrekt nga ndërkombëtarët.

“Ajo çfarë ka ndodhur dje ka ndodhur si një mundësi karshi kërkesave të mungesës së legjitimitetit të kryetarëve të zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluara. Serbia përmes mekanizmave të vet në Kosovë në këtë rast drejtpërdrejt përmes Listës Serbe përdorë të gjitha mekanizmat e mundshëm për të pamundësuar integrimin e serbëve në veri të vendit në institucionet e vendit. Rrjedhimisht ata qytetarë që kanë marr pjesë në inicimin e votimit të djeshëm kanë pamundësuar votimin e tyre dje duke ju bërë presion dukshëm dhe natyrisht edhe duke apeluar nga të gjitha anët në parashikimin e tyre se mund të mos ketë sukses ky votim. Tashmë është e qartë se pengesa kryesore e integrimit serb në Kosovë e në veçanti në veri të vendit është Serbia. Nuk ka pasur as presion as diskriminim në asnjë formë nga institucionet e vendit. Edhe organizimi i djeshëm është vlerësuar si korrekt, i qetë e profesional nga të gjitha nivelet. Prandaj duhet hequr në çfarëdo mundësie të ushtrimit të ndikimit të Beogradit mbi komunitetin serb në Kosovë dhe marrja në konsideratë të kërkesave të tyre për pasojat për Kosovën”, ka thënë Kusari-Lila nga LVV.

Mes tjerash, Kusari-Lila ka deklaruar se është tërësisht e pakuptimtë që Kosova të vazhdoj të jetë nën masat e BE-së.

“Tashmë për të ruajtur kredibilitetin e procesit të dialogut edhe për të njohur angazhimin, punën dhe përkushtimin e institucioneve, Bashkimi Evropian sa më parë që është e mundur duhet të heq masat ndaj Kosovës. Është tërësisht e pakuptimtë që Kosova të jetë në masa dhe të mos të ketë një status të shtetit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian. Serbia fare nuk e ka për qëllim as stabilitetin e raporteve me Kosovën por as integrimin në BE për vete apo për vendet e Ballkanit Perëndimorë”, potencoi Kusari-Lila.

Tahiri i AAK-së: Serbia ta kuptoj që Kosova ka rregull të vet kushtetues dhe ligjor

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se masat ndëshkuese të BE-së do duhej të hiqeshin që pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

“Kosovës do duhej t’i hiqen sanksionet menjëherë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Nuk ka asnjë logjik që Kosova të jetë nën sanksione dhe Serbia të mos jetë nën sanksione kur një shtet fqinj ka sulmuar një shtet tjetër me forca terroriste me të gjitha mekanizmat e veta”, deklaroi Tahiri.

Megjithëkëtë, Tahiri theksoi se dje është parë se ndikimi i Serbisë tek qytetarët serb në veri është ende shumë i madh.

“Serbia duhet një herë e përgjithmonë ta kuptoj se Kosova ka rregull të vet kushtetues ligjor dhe se legaliteti dhe legjitimiteti e detyron të ketë institucione të zgjedhura. Dje u pa që ndikimi i Serbisë tek komuniteti i serbëve të Kosovës në atë pjesë të Kosovës është ende shumë i madh. Frikësimi, presioni politik, ndikimi politik i presidentit Vuçiq vazhdon të jetë me ndikim.  Ne kemi problem në atë pjesë të Kosovës me legjitimitetin demokratik. Kosova duhet ta ushtroj sovranitetin e plotë në atë pjesë të Kosovës por gjithmonë duke argumentu para faktorit ndërkombëtar. Për çfarë sovraniteti po flasim nëse shteti i Kosovës nuk ka fuqi me hap një shkollë me i mbajt zgjedhjet”, shtoi Tahiri i AAK-së.

Dështon iniciativa për largimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

Ndryshe, të dielën (21 prill 2024) janë mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës për shkarkimin apo jo të kryetarëve shqiptar.

Zgjedhjet e 23 prillit 2023 ishin organizuar pasi Lista Serbe ka braktisur institucionet e Kosovës si dhe ka bojkotuar procesin zgjedhor për të cilin ka kërkuar edhe nga qytetarët e tjerë që të bëjnë të njëjtën gjë.

Zgjedhja e kryetarëve në veri ka ngritur tensione të larta në atë pjesë në fund të majit të 2023-tës kur protestuesit serb u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it dhe si pasoj e kësaj BE i vendosi edhe masa ndëshkuese Kosovës nën arsyetimin se nuk kanë bërë mjaftueshëm për shtensionim.

Pas kësaj, Lista Serbie me 17 janar 2024 ka organizuar peticion për të mbledhur nënshkrimet e qytetarëve për shkarkimin e kryetarëve shqiptar në katër komunat veriore i cili ka përfunduar me 22 janar 2024.

Peticioni është pranuar nga KQZ mirëpo shkarkimi i kryetarëve nga zgjedhjet e djeshme nuk u bë dhe ata vazhdojnë mandatin e tyre edhe për 12 muaj.

Dje në Leposaviq kanë votuar 124 votues apo 0.91 për qind e shifrës totale, në Zubin Potok, 18 votues, apo 0.26 për qind, në Zveçan asnjë votues, ndërsa në Mitrovicë të Veriut, 111 votues, apo 0.59 për qind e votuesve.

Kryetar i Zveçanit është Ilir Peci nga PDK, kryetari i Zubin Potokut është Izmir Zeqiri që po ashtu vjen nga radhët e PDK-së, kryetar i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq vjen nga radhët e LVV-së si dhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi vjen po ashtu nga LVV./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

 

 

 

 

Të ngjashme