Google ADS

Deputetët e konsiderojnë të papranueshme Konkluzën e Këshillit të BE-së për Asociacionin

14:34 | 27 Qershor 2018
Arbresh.info

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe ata të koalicionit qeverisës thonë se nuk duhet pranuar assesi që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet duke u bazuar vetëm në Marrëveshjen e Brukselit të 2015-së për të cilën Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se 23 pika të saj bien ndesh me Kushtetutën në fuqi.

Reagimi i tyre vjen pasi që në konkluzat e Këshillit të BE-së për Kosovën deklarohet se ‘Asociacioni duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e gushtit 2015 dhe atë të vitit 2013, pa e përmendur fare e vendimin e kushtetueses, raporton Arbresh.info.

Qeveria dhe Presidenca e Kosovës që kanë caktuar ekipin menaxhues për hartimin e Asociacionit, i cili përbëhet nga tre serb ende nuk kanë dhënë një mendim pas konkluzave të BE-së.

Por, ligjvënësit kosovar thonë se kjo duhet refuzohet me çdo kusht, pasi që sipas tyre një Asociacion me kompetenca ekzekutive rrezikon ekzistencën e shtetit të Kosovës.

“Asociacioni i komunave serbe po krijon një pushtet të ndërmjetëm, i cili mund të jetë i rrezikshëm për funksionalitetin e institucioneve shtetërore”. Në këtë drejtim, çdo rënie ndesh e Asociacionit me kushtetutën e Kosovës, me ligjet e brendshëm, duhet të jetë i papranueshëm”, thotë për arbëresh.info, deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një aktvendim rreth kësaj çështje dhe institucionet shtetërore obligohen ta zbatojnë atë. “Ne nuk mund të themi që vendimi i Gjykatës Kushtetuese për disa ligje duhet të respektohet, e për disa të tjerë jo. Vendimet e saj duhet të respektohen në tërësi”, shtoi ai.

Një mendim të njëjtë me kolegun e tij nga LDK-ja, ka edhe deputetja e Lëvizjes vetëvendosje, Fitore Pacolli. “Ne tashmë e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që konstaton se marrëveshja e Brukselit për themelimin e Asociacionit nuk është në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ne duhet ta respektojmë kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Deputetja e Vetëvendosjes thotë se institucionet tona duhet ta bindin Bashkimin Evropian se Asociacioni, siç po kërkojnë ata është i dëmshëm për vendin. “Ne duhet të jemi këmbëngulës në atë se çfarë i duhet Kosovës dhe se çfarë është mirë për vendin në mënyrë që ta bindim edhe Bashkimin Evropian se një Asociacion i tillë është i dëmshëm për Kosovën”, deklaroi Pacolli për arbëresh.info. Sipas saj, me këtë ide Kosova rrezikon ta themelojë një Republikë Serbe, sikurse ajo në Bosnje.

“Tashmë e kemi një shembull që është Bosnja dhe në duhet që të mësojmë nga dështimi i Bosnjës në mënyrë që mos ta riaplikojmë as në Kosovë, shtoi ajo.

Deputetët nuk kanë të drejtë të shkelin Kushtetutën

Kundër themelimit të Asociacionit duke u bazuar vetëm në Marrëveshjen e Brukselit, është edhe deputetja e koalicionit qeverisës nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj. Ne jemi shtet ligjor dhe kështu që duhet respektuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit tonë. Ne duhet me qenë gardian të respektimit të Kushtetutës dhe me qenë se për Asociacionin e Komunave serbe është dhënë një vendim dhe është bërë një interpretim nga Gjykata Kushtetuese, ne duhet ta respektojmë atë”, thotë Kadriaj për arbëresh.info.

Ajo thotë se nuk beson që deputetët e Kuvendit të Kosovës do të pranojnë të votojnë diçka që bie ndesh me Kushtetutën. “Ne nuk kemi të drejtë që t’i shkelim ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, shtoi ajo.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me kryeministrin, Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli caktuan ekipin menaxhues për hartimin e Asociacionit. Ata u zotuan se ky entitet politik serbe duhet të bëhet duke u marrë për bazë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Por, një gjë të tillë po e kundërshtojnë fuqishëm përfaqësuesit e Listës Serbe dhe ata të shtetit Serb. Madje, zyrtarët serb po kërkojnë që kjo çështje të rinegociohet edhe njëherë në bisedimet e Brukselit./Arbresh.info

Të ngjashme