Legjislatura e pestë e Kuvendit të Kosovës nuk është duke funksionuar si duhet.
Kjo ngase ligje të ndryshme ende nuk janë përfunduar, ndërkaq kanë mbetur edhe dy muaj kohë pasi që në muajin gusht Kuvendi zyrtarisht ndërpret punë, sepse deputetët hyjnë në pushim, raporton Arbresh.info.
Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje , Albulena Haxhiu njëherësh kryetare e Komisionit për Legjislacion ka thënë për portalin Arbresh.info se për çdo vit Kosova përballet me moszbatim të agjendës legjislative të cilën vetë Kuvendi e miraton në seancë plenare.
“Në fakt nuk është problemi te mos-zbatimi i agjendës parlamentare por edhe të vështirësitë e vazhdueshme për ta ushtruar mbikëqyrjen në mënyrë që Kuvendi ta luaj rolin si Kuvend i Republikës së Kosovës dhe Qeveria të jap llogari përball Kuvendit. Kjo është e vështirë për shkak të një qeverie të papërgjegjshme e cila në vazhdimësi nuk po i përgjigjet kërkesës së deputetëve qoftë në kohën e pyetjeve parlamentare qoftë në kohën e ftesave të Ministrave në mbledhjet e komisioneve apo interpelancave në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Edhe mospërmbushja e agjendës legjislative edhe draftimi i projektligjeve duke i marrë nga vendet e Bashkimit Evropian por që nuk po i përshtaten rrethanave të cilat i kemi, e në anën tjetër tendenca për ta shkelur Kuvendin nga Qeveria sigurisht që janë probleme të vazhdueshme pothuajse të secilës Qeveri”, ka thënë ajo.
Sipas Haxhiut edhe në komisionin për legjislacion janë përballur me probleme që kanë të bëjnë me hartimin e draft ligjeve.
“Edhe në Komisionin për Legjislacion jemi përballur shpesh sa i përket draft-ligjeve të cilat nuk janë të hartuara si duhet. Pra nuk është problemi vetëm te vonesa që Qeveria e bënë për t’i proceduar këto projektligje por edhe mënyra se si draftohen pa i marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile, grupeve të interesit, sidomos nga Ministria e Drejtësisë për shkak se Komisioni për Legjislacion e ka në fushë-veprimtari shqyrtimin e dokumenteve që vijnë nga Ministria e Drejtësisë. Duket që shumë prej projektligjeve që procedohen në Kuvend bëhen për shkak të kërkesave të individëve apo grupeve që kanë interesa meskine. Pra tentojnë që propozimet e tyre t’i jetojnë përmes projektligjeve që i procedojnë në Kuvend”, ka thënë ajo duke shtuar se me këtë Qeveri nuk pritet të ketë qasje ndryshe.
“Duke parë Qeverinë aktuale nuk mendojmë që do të ketë qasje më ndryshe, do të ketë në vazhdimësi veprime të tilla që nuk i ndihmojnë Republikës parlamentare por as demokracisë në vend. Kjo është problematike për një demokraci sepse në vazhdimësi ne flasim që jemi vend demokratik por në anën tjetër veprime të njerëzve që udhëheqin me institucione janë komplet të kundërta dhe një qasje e vazhdueshme për ta mbytur zërin opozitar. Këto sigurisht që krijojnë probleme të jashtëzakonshme. Por në anën tjetër ne si subjekt politik po mundohemi që ta kryejmë rolin tonë si opozitë e vërtetë brenda Kuvendit. Kështu vendi duhet të shkojë në zgjedhje për faktin që Kosova ka nevojë për një Qeveri të përgjegjshme që i jep kuptim republikës parlamentare që ka Kosova”, ka shtuar ajo.
Nga monitorimi i Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës deri më tani janë miratuar vetëm 17% të agjendës legjislative.
Artan Murati nga KDI ka thënë për portalin Arbresh.info se janë miratuar 22 ligje.
“Sipas monitorimit të realizuar nga Instituti demokratik i Kosovës prej 126 ligjeve sa janë të parapara deri më tani këtë vit janë miratuar 22 ligje që i bie 17% të agjendës legjislative. Në procedurë në Kuvendin e Kosovës janë edhe 35 projektligje tjera që është 27.78% kurse edhe 69 projektligje pritet që të sillen në Kuvend nga ana e ekzekutivit siç është e paraparë”, ka theksuar ai.
Sipas Muratit Kuvendi ka qenë në një bllokadë të madhe deri në ratifikimin e demarkacionit, kjo për shkak siç tha ai të polarizimeve të mëdha mes subjekteve politike parlamentare.
“Pas përfundimit të demarkacionit në njëfarë mënyre edhe ka filluar të frymoj më lirshëm edhe puna në Kuvendin e Republikës së Kosovës, megjithatë Kuvendi nuk është duke arritur që në mënyrë efikase të përmbush detyrat e veta legjislative ashtu siç do të duhej. Ka shumë ligje të cilat kanë mbetur të pashqyrtuara edhe në vitet paraprake dhe për të arritur që të zihet hapi me humbjet që kemi pasur në kohë në vitet e kaluara, Kuvendi duhet të funksionoj shumë më mirë dhe duhet të jetë më efikas. Zvarritja e ligjeve përveç mos efikasitetit të punës së deputetëve në masë të madhe varet edhe nga zvarritja e vonesës së dërgimit në Kuvend të këtyre projektligjeve nga ana e Qeverisë., pasi që siç dihet në Kosovë është krijuar një mendësi që 99% të projektligjeve të sponsorizohen nga ekzekutivi dhe ekzekutivi jo çdoherë i dërgon në Kuvend projektligjet në kohën kur janë të parapara”, është shprehur ai.
Ndër të tjera ai ka thënë se të gjitha ligjet janë të rëndësisë së veçantë për fushën që rregullojnë.
“Projektligji për Qeverinë që tash e një kohë është diskutuar në qarqe të ndryshme politike madje edhe nga qeveritë e kaluara mirëpo nuk është se kemi parë ndonjë hap konkret deri më tani. Po ashtu vlen të përmendet edhe rregullorja e re e Kuvendit ndonëse nuk është ligj por është rregullore e punës, ka pasur vonesa të shumta deri më tani. Por si duket shumë shpejt kjo rregullore do të kaloj edhe në lexim të dytë dhe do të miratohet sepse është nevojë urgjente që Kuvendi ta ketë një të tillë”, deklaroi ai.
Sipas analistit politik Bajrush Morina me këtë punë që po bënë Kuvendi nuk po i arsyeton as pagat e as mëditjet.
“E para Kuvendi është më mirë të shkojë në shtëpi se sa në pushim. Kështu siç është duke punuar nuk do të arrijë të arsyetojnë as pagat dhe mëditjet e lëre më të bëjnë diçka të hajrit për vendin. Prandaj ky Kuvend mund të mbahet në mend si Legjislatura më e lodhtë dhe më e mërzitshme në historinë e parlamentarizmit pas lufte në Kosovë”, ka thënë ai për Arbresh.info.
Morina tha se në këtë Kuvend janë dëgjuar fyerje e sharje e jo ligje e ndryshim ligje.
“Krejt çka do të mbahet në mend është miratimi i Demarkacionit. Prandaj meqenëse e kanë kryer Demarkacionin është mirë që edhe kjo legjislaturë ta shkurtojë mandatin sa ma shpejtë që është e mundur”, theksoi ai./V.Berisha/Arbresh.info
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...