Në debatin parlamentar në lidhje me mos zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e Qeverisë së Kosovës, u vlerësua se ekzekutivi i vendit mbetet shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut në vend.
Inicuesja e këtij debati, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu ka thënë se për këtë debat kanë pritur 5 muaj dhe se ka të bëjë me rekomandimet e Avokatit të Popullit të bëra në raportin për vitin 2015, derisa tani në Kuvend ka ardhur edhe raporti i këtij institucioni për vitin 2016. Ajo theksoi se për vitin 2015, nga 57 rekomandime, 37 nuk janë zbatuar dhe 7 janë të pritje të zbatimit.
Bashkëpartiaku i saj, deputeti Ali Berisha akuzoi Qeverinë për shkeljen e të drejtave të njeriut, në vend se të ishte mbrojtës i tyre.
“Avokati i Popullit në çdo raport të tij për respektimin e të drejtave të njeriut i ka dhënë shumë rekomandime, të cilat asnjëherë nuk janë marr parasysh. Por, sipas Avokatit të Popullit do të duhej të na bënte të mos ndiheshim mirë. Shteti është për t’iu dalë në mbrojtje qytetarëve, e jo të jetë shkelës i të drejtave të njeriut”, tha Berisha.
Edhe deputetja e Nisma për Kosovën, Shukrie Bytyçi, bëri përgjegjës Qeverinë dhe dikasteret qeveritare si institucionet kryesore e shkeljes së të drejtave të njeriut.
“Shkelësit kryesor të të drejtave të njeriut, prin Qeveria e Kosovës, pastaj ministritë, drejtoritë komunale, gjykatat, qendrat korrektuese por edhe shkollat. Për neve është shqetësuese mos zbatimi i rekomandimeve të avokatit të popullit”, theksoi ajo.
Pas këtyre vlerësimeve reagoi kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili kërkoi nga deputetët që ta argumentojnë me fakte kur theksojnë se qeveria është shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut. Ai tha se nuk duhet që për inate politike të dërgojnë te komuniteti ndërkombëtar sinjale, se qeveria është shkelësi kryesor i të drejtave të njeriut.
“Nëse ne vlerësojmë se Qeveria e Kosovës është shkelësi kryesor i të drejtave dhe lirive të njeriut unë iu kisha lutur ta argumentoni këtë, nëse këtë e ka thënë Avokati i Popullit atëherë duhet ta argumentoj, nëse dikush e thotë këtu, atëherë iu kisha lutur ta argumentoni, sepse nuk është kjo vetëm çështje e relacioneve tona pozitë-opozitë, apo politike, por janë relacione edhe me komunitetin ndërkombëtar. Nëse ne tash dërgojmë sinjale komunitetit ndërkombëtar që Qeveria është shkelësi kryesor, atë duhet ta argumentojmë për arsye se është në pyetje shteti dhe Qeveria e shtetit. Unë nuk di këso vlerësime, kam mbajtur grupin ndërministror për të drejtat e njeriut ka qenë edhe Avokati i Popullit kemi diskutuar për këto çështje, por në asnjë rast nuk kam pasur një vlerësim se qeveria është shkelësi kryesor dhe nuk e pranoj një vlerësim të tillë pa e argumentuar ju, ose Avokati i Popullit”, tha Mustafa.
Pas kësaj kreu i qeverisë nuk qëndroi më në seancë, derisa deputetët përsëri patën kritika dhe akuza se qeveria po shkel të drejtat e njeriut. Deputeti i PDK-së, Fatmir Shurdhaj kritikoi qeverinë dhe kryeministrin për mos shtruarjes së çështjes së fondit pensional në bisedimet me Serbinë në Bruksel.
“Asnjëherë Qeveria e Kosovës apo ministrja për Dialog nuk e ka qit si temë, apo si propozim në dialogun më Serbinë çështjen e pensioneve të qytetarëve të Kosovës, apo të fondit që është vjedhur nga Serbia. Madje kemi rastin eksperimantal të çifti Grujiq që ka fituar kontestin gjyqësor në Gjykatën e Strasburgut për të drejtat e njeriut. Personalisht jam takuar me çiftin Grujiq, por ai mbet një zë i shuar, Qeveria e Kosovës asnjëherë nuk mori asnjë rekomandim të paktën në bisedimet në Bruksel ta ketë temë kryesore këtë”, theksoi Shurdhaj.
Ndërsa, deputeti i Vetëvendosjes Faton Topalli tha se po ia rikujton kryeministrit me fakte se përse është shkelësi më i madh i të drejtave të njeriut.
“Aktivistët e Vetëvendosjes, Adea Batusha, Frashër Krasniqi, Atrdhe Arifi, Egzon Haliti po mbahen për arsye politike në arrest, edhe pse nuk ka asnjë akt për akuzat ndaj tyre. Ky është një proces politik dhe krejtësisht i diktuar nga politika dhe është një shkelje drastike e shkeljes së të drejtave të njeriut. Sot kemi qindra fëmijë anë e kënd Kosovës prej moshës 10 deri në moshën 14 vjeçare që punojnë rrugëve të Kosovës për t’i mbështetur familjet e tyre, a nuk është kjo shkelje të drejtave të njeriut”, theksoi ai.
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ia kujtoi shefit të Qeverisë punësimet që bëhen nëpër institucione, duke thënë se asnjë nuk mund të bëhet pa dijeni të shefit, qoftë atij si kryeministër, apo qoftë edhe ministrave.
“Nëse flasim për institucionet e brendshme, për avancimin e njerëzve, po ju siguroi që me FSK, me polici, me inteligjencë, me shërbimin korrektues, me universitet, me spitale, me të gjitha këto shkojnë me të njohshëm edhe që ndërlidhen direkt me shefin e shtetit dhe ministrat e dikastereve të caktuara”, ka deklaruar Haradinaj.
Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani pati kritika edhe për vetë Kuvendin, duke thënë se rekomandimet e Avokatit të Popullit ndërlidhen edhe me punën e tyre si Kuvend.
“Rekomandoj që meqë shumë nga rekomandimet e Avokatit të Popullit ndërlidhen me ndryshime që duhet të bëhen në legjislacion dhe me punën, e cila mund të bëhet edhe në Kuvendin e Kosovës, pra që nuk kemi nevojë të presim Qeverinë apo institucionet e tjera ekzekutive, që të bëjmë një lidhje të drejtpërdrejtë në mes të rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe punës së komisioneve parlamentare në Kuvend”, është shprehur Osmani.
Në fund të debatit janë paraqitur edhe shtatë rekomandime të harmonizuara mes grupeve parlamentare. Rekomandimet e propozuara për miratim janë:
Të implementohen rekomandimet e Avokatit të Popullit të vitit 2015, Qeveria e Kosovës të krijoj kushtet të nevojshme në kuptimin financiar që rekomandimet e Avokatit të Popullit të Implementohen, Komisioni Parlamentare obligohen që të përfshijnë çështjet që dalin nga raportet vjetore të Avokatit në planet e punës së tyre, kryeministri i Kosovës si kryesues i grupit ndërministror për të drejtat e njeriut të raportojë në Kuvend të paktën një herë në vit për të drejtat e njeriut, komisionet parlamentare t’i ftojnë në debat udhëheqësit e institucioneve në komisionit përkatëse në Kuvend, për të kuptuar arsyet e mos zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, Kuvendi i Kosovës gjatë plotësim- ndryshimit të rregullores së punës, të parasheh vetëm diskutimin e raportit vjetor të Avokatit të Popullit, e të mos hidhet në votim, të zbatohet rezoluta e Kuvendit të Kosovës lidhur me kontributet pensionale të qytet arëve të Kosovës të mbajtura ilegalisht nga Serbia.
Rekomandimet mbeten për t’u votuar në seancën e radhës, për shkak të mungesës së kuorumit.
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...
Sa mjaltë në ditë mjafton për imunitet të mirë?
Shenjat e horoskopit që e shijojnë beqarinë