Në pesëmujorin e këtij viti vlera e depozitave të qytetarëve të Kosovës në bankat komerciale kap vlerën e 3.4 miliardë eurosh. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kjo shumë ka shënuar rritje. Pos rritjes së depozitave, rritje ka shënuar edhe niveli i kredive si për ekonomitë familjare ashtu dhe spektrin biznesor.
Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se niveli i depozitave dhe kredive ka shënuar rritje në pesëmujorin e parë të këtij viti karshi vitit paraprak.
“Depozitat e klientëve të bankave komerciale deri më 31 maj 2019 kanë qenë 3.4 miliardë euro, prej të cilëve depozita të ekonomive familjare kanë qenë 2.4 miliardë euro. Deri më 31 maj 2018 vlera e depozitave të klientëve të bankave komerciale ka qenë 3.1 miliardë euro, prej të cilave ekonomitë familjare përbëjnë 2.2 miliardë euro”, ka deklaruar Ahmeti. Sipas tij, sa iu përket kredive, vlerat e tyre për ekonomitë familjare dhe korporatat jofinanciare kanë shënuar rritje gjatë pesëmujorit të parë të këtij viti karshi periudhës paraprake të vitit të kaluar.
“Vlera e kredive për ekonomitë familjare deri në maj të 2019-s kap shifrën 1.04 miliard euro, kurse për korporatat jofinanciare 1.85 miliard euro. Në periudhën e njëjtë të vitit 2018 ishin 945.9 milionë euro kredi për ekonomitë familjare, ndërkaq 1.65 miliard euro për korporata jofinanciare”, ka thënë Ahmeti.
Anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se arsyeja e numrit të madh të depozitave dhe kredive ka të bëjë me klimën e biznesit, respektivisht mosgatishmërinë e tyre për të investuar për shkak të ambientit biznesor.
“Rritja ekonomike mund të shprehet në rritjen e depozitave, mirëpo në anën tjetër kjo ka të bëjë edhe me besimin në sistemin ekonomik. Pra, në sistemin bankar. Atmosfera apo klima e biznesit nuk është aq e mirë dhe ka probleme për të investuar në biznese. Kështu që, shpesh qytetarët vendosin që më shumë t’i ruajnë paratë për ditët më të vështira sesa t’i investojnë apo multiplifikojnë”, ka thënë Zharku, duke shtuar se edhe niveli i kredive dëshmon për klimën ekonomike që është në Kosovë, qoftë rritja e kreditimit apo e depozitave që nganjëherë mund të ketë edhe lëvizje të kundërta.
Sipas tij, e gjithë kjo është shprehje e klimës investive në Kosovë.
Edhe drejtori i “D&D Business Support Center”, Safet Fazliu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se mbajtja e parave në formë të depozitave në banka nuk është aspak e leverdishme.
Sipas tij, e tëra kjo është për faktin se në Kosovë në vitet e fundit normat vjetore të inflacionit si dhe rritja e çmimeve kanë qenë shumë më të larta sesa interesi që bankat komerciale ofrojnë për depozita. “Andaj, një masë kaq e madhe e depozitave dhe me tendencë rritjeje nga viti në vit, pa dyshim se është një tregues i një klime dhe ambienti të pafavorshëm për investime në biznes. Nisur nga ky fakt, mund të vijmë në përfundim se ambienti për biznes është aq i pafavorshëm, që qytetarët dhe bizneset pranojnë t’i mbajnë kursimet apo fitimet e tyre në formë depozitash, ndonëse me humbje vlere nga inflacioni dhe mos t’i investojnë ato”, ka thënë Fazliu, duke shtuar se nga këndvështrimi makro-ekonomik ky është një tregues negativ pasi, sipas tij, paraja ka vlerë vetëm kur hedhet në qarkullim.
“Tërheqja e një mase kaq të madhe nga qarkullimi dhe mbajtja e tyre në formë depozitash ndikon në ngadalësim të rritjes ekonomike. Nëse e analizojmë strukturën e kursimeve, respektivisht depozitave, atëherë del se kjo shumë kaq e lartë e depozitave i përket një shtrese të vogël të qytetarëve, ekonomive familjare dhe bizneseve të cilat nuk shohin mundësi dhe siguri për t’i investuar ato para, për faktin se shtresa e gjerë me të ardhura mesatare si dhe ajo me të ardhura nën mesatare nuk e ka mundësinë për akumulim të kursimeve, rrjedhimisht për depozita, për faktin se kostoja e shportës së konsumatorit është më e lartë ose e barabartë me të ardhurat e tyre”, ka thënë Fazliu.
Ndërkaq sa i përket rritjes së vlerës së kredive, sipas Fazliut, për të ardhur te një analizë e mirëfilltë rreth impaktit të kredive duhet t’i bëjmë një analizë strukturës së destinimit të tyre.
“Sipas BQK-së, në vitin 2018 vetëm 59.6 për qind të kredive që kanë marrë bizneset kanë pasur për qëllim investimin, ndërsa në anën tjetër 40.4 për qind e kredive kanë qenë të destinuara për qëllime të financimit të aktiviteteve joinvestive. Nëse bazohemi në këtë të dhënë, del se rreth 40 për qind të bizneseve kanë hyrë në kredi për të mbijetuar në treg e jo për të investuar në rritje, respektivisht zgjerim të aktivitetit të tyre”, ka deklaruar Fazliu.
Po ashtu një qytetare nga Prishtina, Egzona Thaqi, ka thënë se arsyet e depozitave kanë të bëjnë me pagat e ulëta dhe mos leverdinë nga bankat për të afatizuar para për shkak të normave të ulëta të interesit.
“Në vendin tonë qytetarët mbajnë depozita për shkak të pagave të ulëta që marrin edhe investimi me ato kursime që bëjnë është i pamundur. Pastaj arsyeje tjetër është që depozitat s’kanë interesa bankare të leverdishme, por një fitimprurëse për bankat komerciale dhe me këtë s’mund të themi se mund të kemi një lloj planifikimi për investim në të ardhmen”, ka deklaruar ajo.
Hamza i PDK-së: Pensionet e moshës do të rriten 70%
Hiqet ndalesa për kamionë në rrugën Tetovë-Kodra e Diellit
Arrestohet gjenerali i Assad, përgjegjës për dhënien e mijër...
Lukashenka fal 20 të burgosur
Gërvalla: Liberalizimi i vizave si rezultat i luftës ndaj ko...
“Sonte nuk jom ‘kingu’, jom baba”, Gjesti flirtues ndaj Xhen...