Deportimi i gjashtë shtetasve të Turqisë nga Kosova, ka sfiduar dhe cënuar jo vetëm demokracinë në shtetin më të ri evropian, por ka ngritur edhe dyshime të bazuara për shkeljen e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Në Kuvendin e Kosovës tashmë ka nisma që të thirren për raportim rreth këtij deportimi njerëzit përgjegjës. Në rast se vërtetohen dyshimet për shkelje ligjore e kushtetuese, atëherë shkarkimet apo dorëheqjet e personave përgjegjës, do të vinin si pasojë e këtyre zhvillimeve.
Florent Spahija, ekspert ligjor nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha për Radion Evropa e Lirë se bazuar në Ligjin për të huajt në Republikën e Kosovës, përkatësisht nenin 100 paragrafi 1 pika 1.5 të këtij ligji, i huaji nuk mund të deportohet nga Kosova nëse në vendin e deportimit mund të kalojë nëpër procedura diskriminuese.
”Edhe nëse merret një vendim për deportim të të huajit, i njëjti pasi ta pranojë vendimin, ka të drejtë që në një afat prëj 8 ditësh ta paraqesë ankesën kundër vendimit në Gjykatën Themelore dhe nëse prapë nuk është i kënaqur me vendimin e gjykatës, atë mund ta apelojë në Gjykatën e Apelit, tetë ditë pasi që e ka pranuar vendimin e Gjykatës Themelore”, tha Spahija.
“Andaj duke u bazuar në këto fakte të lartëpërmendura, deportimi i shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshëm dhe ekzekutimi i masave të tilla duke i njohur rrethanat në shtetin që deportohen, janë në kundërshtim me vet ligjin dhe frymën e demokracisë e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut”, vlerësoi ai.
“Prokuroria duhet ex officio të fillojë me hetimet për lëshimet që janë bërë me apo pa qëllim nga zyrtarët shtetërorë që kanë dhënë urdhër për deportim të të huajve. Mosrespektimi i afateve dhe të drejtave themelore në apelim të vendimeve është shkelje edhe e Kushtetutës së Kosovës, por edhe konventave ndërkombëtare”, tha ai.
Tre krerët më të lartë të shtetit, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit dolën me komunikata, duke konfirmuar se nuk ishin në njohuri për deportimin e shtetasve turq.
Drejtori i Institutit KIPRED, Lulëzim Peci përmes një shkrimi në Facebook ka kërkuar përgjegjësi për deportimin, sipas tij, “të jashtëligjshëm të gjashtë qytetarëve turq tek regjimi i Erdoganit”.
“Duhet të jepet përgjegjësi politike dhe intitucionale (shkarkimi i krerëve institucionalë që e kanë urdhëruar dhe zbatuar atë) dhe ndjekje ligjore për shkeljen e Konventes për të Drejtat e Njeriut”, ka shkruar Peci.
“Kur policia vepron pa urdhër gjyqësor në raste të tilla, atëherë kjo është shenjë e dukshme se jemi duke u shndërruar në një diktaturë me premisa të shtetit policor, dhe kësaj duhet t’i jepim fund, sepse nesër mund të bëhet vonë”, ka shkruar tutje Lulëzim Peci.
Të enjten, gjashtë shtetas turq, drejtues të Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, u arrestuan dhe më pas u deportuan për në Turqi.
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se gjatë administrimit të provave kanë konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës, siç thuhet “për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore”.
Por, më pas doli se të deportuarve nuk u është aprovuar e drejta e ankesës. Andaj, pritet që gjatë ditës, institucionet më të larta t’i ftojnë në raportim krerët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe Ministrin e Punëve të Brendshme të raportojnë se si ndodhi që deportimi u bë, sipas shumë dyshimeve, pa përfillur procedurat ligjore e kushtetuese.
Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan.
Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.
Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e Fethullah Gulenit, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në Kosovë kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se këto shkolla veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës.
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...
Putin: Jemi gati për “duel” raketor me SHBA
Cana: UEFA nuk duhet të na linte në grup me Serbinë
Kumbaro: Rritëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të...
Xheneta kritikon ashpër Gjestin, ky i fundit fillon të qajë