Dënohet me burgim me kusht për korrupsion ish-drejtori në Prizren, aktualisht zëvendësministër

08:54 | 5 Qershor 2019
Arbresh.info

Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, aktualisht zëvendësministër i Administratës Publike, Bujar Nerjovaj, është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi është shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Mirëpo, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani, i akuzuari Nerojovaj, është obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor në shumë prej 400 euro

Ndërsa, pala e dëmtuar, Komuna e Prizrenit, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontest civil.

Gjykatësi Osmani, ka thënë se arsyetimin e plotë në formë të shkruar, palët do ta marrin brenda afatit ligjor.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme