Dënohet me burgim me kusht i akuzuari për lëndim të bashkëshortes

16:03 | 6 Nëntor 2017
M. A.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të hënën, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht Milan Barac, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor ndaj bashkëshortes së tij.

Gjyqtari Bekim Veliqi, ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Valdet Kadriu, se ky dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i pandehuri në periudhën prej një viti e gjashtë muaj, nuk kryen vepër tjetër penale.

Po ashtu, në aktgjykimin e shpallur nga gjyqtari Veliqi, i pandehuri u obligua që të paguajë edhe ekspertizën mjekësore si dhe shpenzimet e paushallit gjyqësor, të dyja në vlerë prej 20 euro.

Gjyqtari Veliqi, me rastin e shpalljes së aktgjykimit, e ka ndërprerë paraburgimin për të akuzuarin, i cili ndodhej në këtë masë që nga 15 tetori i këtij viti.

Paraprakisht, i akuzuari kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar, me ç’rast i ka premtuar gjykatës se më nuk do ta përsëris një vepre të tillë.

Ndryshe, Milan Barac, akuzohej nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, se më 15 tetor të këtij viti, në shtëpinë familjare në Komunën e Leposaviqit, i pandehuri i ka shkaktuar lëndim trupor të dëmtuarës, në këtë rast, bashkëshortes së tij Milena Barac. Sipas aktakuzës, i pandehuri në gjendje të dehur merr thikën që ka qenë mbi tavolinë dhe me dorezën e saj, e godet të dëmtuarën në kokë dhe më pas e kanos me fjalë. Sipas aktakuzës, përderisa e dëmtuara ka tentuar që t’ia merr thikën nga dora, ai me thikën tjetër e ka goditur në bërrylin e dorës së majtë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këtë, i akuzuari ka kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 188 paragrafi 3 pika 3.2 e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme