Dënohet me 15 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e Samir Rexhës

11:06 | 27 Tetor 2017
L G

15 vjet burgim efektiv, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Ferizaj, ndaj të akuzuarit për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, Meriton Aliu.

Aliu, akuzohej se më 18 gusht 2016, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin, Samir Rexha.

Për veprën e parë penale të vrasjes, Aliut, i është shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 14 vjetësh, kurse për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar i armëve”, i akuzuari është dënuar me dy vjet burgim.

Për të dy veprat penale në fjalë, atij i është shqiptuar dënimi unik me burgim prej 15 vjetësh.

Ndërkaq, përfaqësuesja e të ndjerit Rexha, konkretisht nëna e tij, Bukurije Rexha për kompensim të dëmit është udhëzuar në kontest civil.

Aktgjykimi ndaj Aliut, është shpallur të premten, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Musa Konxheli.

Tani të dënuarit,  në dënimin e shqiptuar do t’i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim nga gushti i vitit 2016, e deri sa aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm, ku me aktvendim të veçantë, i është vazhduar kjo masë.

Kundër këtij aktgjykimi, mbrojtësi me autorizim i Aliut, avokati Avni Ibrahimi, për “Betimi për Drejtësi”, tha se do të parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit të Republikës së Kosovës, pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

“Natyrisht që do të paraqesim ankesë. Është dënim mjaft i ashpër, për një vepër e cila është kryer në mbrojtje të nevojshme nga i mbrojturi i im”, deklaroi avokati Ibrahimi.

Ndryshe, Meriton Aliu gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij, më 18 tetor të këtij viti, kishte deklaruar se ka qenë i  detyruar ta shkrep armën, sepse sipas tij, tani i ndjeri Rexha, paraprakisht i kishte drejtuar atij revolen duke e kërcënuar se do ta vras.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Meriton Aliu, akuzohej se vrasjen e kishte kryer ashtu që pasi e kishte takuar të tani ndjerin Rexha, dhe kishin filluar të bisedonin rreth një mosmarrëveshje të më hershme, kishin hyrë në korridorin e një ndërtese dhe gjatë bisedës i pandehuri kishte nxjerrë revolen e më pas kishte shtënë dy herë në drejtim të Rexhës.

Ndërsa, si pasojë e plagëve të marra, Rexha ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri, po ashtu akuzohej se nga koha e pacaktuar deri më 18 gusht 2016, ka mbajtur në posedim pa autorizim përkatës, armën, konkretisht revolen e tipit “Vzor 50” të kalibrit 7.65 mm, me të cilën armë edhe ka privuar nga jeta tani të ndjerin Samir Rexha./Betimipërdrejtësi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme