Dënimet ndaj rasteve më të bujshme në vend

11:46 | 1 Janar 2018
Arbresh.info

Gjykatat vendore këtë vit kanë arritur t’i përfundojnë tri nga proceset më të përfolura. Dy nga to zgjatën me vite.

Pas vendimit të Apelit, rasti ‘Drenica 2’ u dërgua në Gjykatën Supreme, mirëpo kjo e fundit i refuzoi 11 kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë së paraqitur si të pabazuara, shkruan lajmi.net.

Në bazë të këtij vendimi, ish-komandantit Sylejman Selimit iu konfirmuar dënimi me 6 vite burgim. Selimi u dënua për shkak të keqtrajtimit ndaj disa personave në fshatin Likoc gjatë luftës së fundit. Përpos tij, të dënuar në këtë rast janë Isni Thaçi, Zeqir Demaku dhe Jahir Demaku me nga 6 vite burgim.

Agim, Driton Bashkim dhe Selman Demaj janë dënuar me nga 3 vite, po ashtu me të njëjtën masë të dënimit po e vuajnë edhe Fadil e Nexhat Demaku.

Pas 8 vitesh procedurë gjyqësore, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës ish-ministrin e Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limajn.

Tërë këto vite, Limaj së bashku me Endrit Shalën, Naser Krasniqin, Shpëtim Telakun dhe Florim Zukën u gjykuan për korrupsion në Ministrinë e Transportit në të cilën Limaj ka qenë ministër gjatë periudhës 2008-2010.

Rast i bujshëm në opinion publik ishte edhe sulmi ndaj Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë deputetin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqin dhe tre aktivistët tjerë të kësaj partie, Atdhe Arifin, Adea Batushën dhe Egzon Halitin.

Ndaj Krasniqit është shqiptuar dënimi prej 8 vjet burgim, Arifi me 6 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjashtë muaj ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burgim.

Vendimin e Gjykatës ndaj këtij rasti, Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur politikë duke shtuar se ky vendim nuk sjell drejtësi./Lajmi.net/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme