Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se do krijohet një trupë e përbashkët politike-teknike e cila do përpilojë një strategji shtetërore për shënjimin e kufirit në tërë Kosovën.
E ndër shtetet që do të mund të na dalin problematike sa i përket shënjimin e kufirit, është Serbia.
Kjo me gjasë pritet të ndodh jo shumë larg, pasi Serbia në kapitullin e 35 për të hyrë në BE e ka edhe demarkimin e kufijve me disa shtete, mes tyre edhe Kosovën.
Gjeografi Florim Isufi në një prononcim për Indeksonline ka thënë se situata me Serbinë do të jetë me e vështirë, prandaj sipas tij politika kosovare duhet të konsultohet me të gjithë akterët politik dhe profesional.
“Demarkimi i kufirit të Kosovës me Serbinë do të jetë problemematik kur dihet se kemi të bëjmë me një shtet i cili me politikat e saj ka për synim dobësimin e Kosovës si në aspektin politik ashtu edhe territorial. Ju jeni në njohuri se çka ndodhi me kufirin me Malin e Zi. Një qasje e gabuar në fillim dhe rezultojë me humbje të territorit për viza, paramendo në rast të demarkimit me Serbinë nëse ka ndonjë kusht tjetër nga bashkësia ndërkombëtare se çka do të ndodh. Prandaj politika kosovare ose duhet të vetëdijesohet kur bënë marrëveshje, duhet të këtë konsultime me gjithë akterët politik dhe profesional, ose duhet në vazhdimësi të dorëzohet para kushteve të ndryshme. Krejt kjo varet nga strategjia e zhvillimit të shtetit në vitet në vijim”, ka thënë Isufi.
Ndërsa, analistja Albulenë Halili për Indeksonline ka thënë se shënjimi i kufirit me Malin e Zi duhet të ju shërbejë si mësim kur të përballen me Serbinë.
Halili thotë se ky proces do të jetë një ndër sfidat me të mëdha jo vetëm për Kosovën por edhe për Bashkimin Evropian.
“Mësimet nga ky proces duhet të shërbejnë që politikanët shqiptarë të Kosovës të jenë tepër vigjilentë gjatë procesit të demarkacionit të kufirit me Serbinë, që do të vijë pashmangshëm. Së dyti, ky proces do të jetë një nga sfidat e mëdha jo vetëm për Kosovën por edhe për vetë Bashkimin Evropian dhe aktorët ndërkombëtarë të përfshirë, meqenëse Serbia përmes këtij procesi do të përpiqet që shtetësinë e Kosovës ta kthejë në pikën zero – te Deklarata e Pavarësisë. Në Deklaratën e Pavarësisë thuhet se Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit. Propozimi i Ahtisaarit e përcaktoi dhjetorin e vitit 1988 si data vendimtare për vlerësimin e kufirit të Kosovës si pjesë e ish-Jugosllavisë, meqë statusi i Kosovës i përcaktuar me kushtetutën e RSFJ-së 1974 qe suprimuar nga Millosheviqi. Plani i Ahtisaarit nuk u pranua nga Beogradi, ndërkaq vetoja ruse bëri që ai të mos miratohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar, se procesi i demarkimit me Serbinë nuk do të jetë vetëm juridik por, politik, pasi sipas saj Serbia pretendon të marrë gjysmën e Kosovës, përmes Asociacionit të Komunave Serbe, shkruan Indeksonline.
“Dhe së fundmi, duhet pritur se procesi i demarkacionit të kufirit të Kosovës me Serbinë nuk do të jetë një proces thjesht juridik por politik. Përderisa Mali i Zi që ka njohur Kosovën pretendon të marrë 8000 mijë hektar nga Kosova, Serbia do të pretendojë ta marrë gjysmën e Kosovës. Me këtë kam ndërmend kushtëzimin që pritet ajo t’ia bëjë Kosovës dhe BE-së me Asociacionin e Komunave Serbe”, ka thënë ajo.
Ndryshe, sot kryeministri Haradinaj është takuar me Shpejtim Bulliqin nga Komisioni Shtetëror me të cilin kanë biseduar për përpilimin e një strategjie shtetërore për shënimin e kufirit në tërë Kosovën.
“Në vazhdën e takimeve të rregullta me Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, u dakorduam që të krijohet një trupë e përbashkët politike – teknike dhe të përpilohet një strategji shtetërore për shënimin e kufirit në tërë Kosovën. Bashkëpunimi me Komisionin Shtetëror do të thellohet edhe më tutje”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi zgjati tri vite ku pozita e opozita nuk kishin një qëndrim të njëjtë ndaj kësaj çështje.
Por, me 21 mars edhe kësaj teme i erdhi fundi, ku pas katër herë përpjekjesh në Kuvend marrëveshja e nënshkruar mes dy presidentëve, Thaçi e Vujanoviç u miratua me 80 vota pro.
Kjo marrëveshje u përshëndet nga akterët ndërkombëtar, duke e quajtur një hap drejt lëvizjes së lirë të qytetarëve në zonën Shengen.
Brazil/ Shembet ura, lumi kontaminohet me pesticide dhe acid...
Parashikimi i motit për sot
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024