Demarkacioni zgjidhet brenda muajit

08:07 | 9 Janar 2018
M. A.

Zyrtarë të lartë të partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj (AAK) shprehen të bindur se Demarkacioni me Malin e Zi do të zgjidhet në fund të këtij muaji apo më së largu në fillim të muajit të ardhshëm, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Një kërkesë të tillë që Demarkacioni të zgjidhet sa më shpejt e ka edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili sërish ka bërë thirrje që kjo çështje të përfundojë brenda muajit janar.

Ai insiston se Marrëveshja është e drejtë, prandaj duhet të ratifikohet. “Kushti i Bashkimit Evropian për Kosovën ka qenë i padrejtë, por edhe mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi i Kosovës është i pajustifikueshëm. Prandaj muaji janar është momenti i fundit që ne ta gjejmë një konsensus dhe ta ratifikojmë këtë marrëveshje. Vetëm atëherë i japim fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi, shkruan tutje Gazeta “Zëri”.

Në anën tjetër, partia opozitare lëvizja “Vetëvendosje” pret që sa më shpejt kjo çështje të vijë në seancën e Kuvendit dhe Demarkacioni të rrëzohet pasi që, siç thonë ata, ky subjekt politik nuk ndryshon qëndrim për këtë çështje. Të hënën e ardhshme (më 15 janar) është thirrur mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme, ku do të shqyrtohet Projektligji për Demarkacion, për të cilin pritet të votohet nëse do të shkojë ose jo për miratim në Kuvend.

Selmanaj: Versionin që humbim territor nuk e pranoj

“Nuk mund ta them ndonjë datë, por e di që shumë shpejt duhet të përfundohet çështja e demarkacionit. Si afate të mundshme janë fundi i janarit ose fillimi i shkurti që të zgjidhet kjo çështje”, ka thënë për “Zërin” deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj.

Ky i fundit nuk ka dhënë shumë detaje se si do të zgjidhet kjo çështje, përpos që AAK-ja ka ende qëndrimin e njëjtë për Demarkacionin. “Ne nuk do të ndryshojmë qëndrim lidhur me versionin që është propozuar nga Komisioni i mëhershëm. Qëndrimi mund të ndryshojë vetëm nëse do të ketë lëvizje nga ai pozicion. Unë si deputet çdo version që nuk humb territor Kosova e pranoj, çdo version tjetër jo”, ka thënë Selmanaj.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme