“Demarkacioni do të dështojë, e pastaj do të harrohet”

23:18 | 5 Dhjetor 2017
M. A.

Qeveria e Kosovës të hënën ka proceduar në Kuvend Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, por nga Kuvendi ende nuk ka bërë të ditur se kur do të hedh në votim, shkruan arbresh.info.

Kjo çështje që po i lë qytetarët e Kosovës të izoluar ka hapur shumë debate e polemika.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, tha të martën se demarkacioni do të hidhet ne votim dhe do të dështojë, e pastaj do të harrohet.

“Qëllimi jonë është që të hidhet në votim dhe të dështojë dhe të harrohet kjo punë”, tha ai mes tjerash në TV dukagjin.

I pari i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, i cili të hënën votoi pro kalimit të Demarkacionit në Kuvend, shprehet se është kundër ratifikimit të marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel.

E presidenti i vendit Hashim Thaçi ka kërkuar ratifikimin e Demarkacionit në Kuvend.

“E mirëpres dhe përgëzoj Qeverinë e Republikës së Kosovës për vendimin e sotëm për ta proceduar për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, ka shkruar Thaçi, raporton arbresh.info.

Po ashtu edhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës do ta votojë kalimin e marrëveshjes për Demarkacionin.

“Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është “pro”, siç e kemi thënë në vazhdimësi”, ka shkruar ai.

Nga ana tjetër analistët konsiderojnë se qëndrimet krejtësisht të kundërta të partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë, lidhur me çështjen e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, rrezikojnë qëndrueshmërinë e Qeverisë së Kosovës./arbresh.info/

Të ngjashme