Para 19 vjetëve, përkatësisht më 24 mars 1999, në orën 19:00, forcat e NATO-s kishin filluar sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi. Sulmet vazhduan për 78 ditë rresht, të cilat rezultuan me çlirimin e vendit.
Historiani Frasher Demaj ka treguar se ndërhyrja e forcave të NATO-s në Kosovë ka shpëtuar popullin nga gjenocidi. Sipas tij, fillimi i bombardimeve ishte shpresë për të gjithë shqiptarët, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
“Fillimi i bombardimeve të NATO-s ishte shpresë për të gjithë shqiptarët, të cilët po vuanin nga terrori i Serbisë, që çdo ditë e më shumë po merrte përmasa me pasoja të mëdha për popullsinë civile shqiptare, që ishte dëbuar prej shtëpive të veta. Njësitet e uniformuara dhe paramilitare serbe plaçkitnin, arrestonin, dhunonin gratë dhe vajzat dhe vrisnin, posaçërisht meshkujt e moshës madhore e ndonjëherë edhe pleq, gra e fëmijë, siç është rasti i masakrës së Izbicës, Reçakut, Mejës, Qirezit, Likoshanit, etj.”, ka thënë ai.
Sipas tij, policia serbe gjatë asaj kohe ka synuar ta sakrifikojë popullsinë civile dhe pastaj ta akuzonte NATO-n për vrasjet që bëheshin. “Një gjë është e sigurt, NATO-ja nuk kishte për qëllim të shënjestronte popullsinë civile të asnjë nacionaliteti. Madje ushtria dhe policia serbe në vazhdimësi bënte përpjekje që të instrumentalizonte popullsinë civile serbe duke e detyruar të qëndronte nëpër ura, sheshe, afër shënjestrave ushtarake, etj. për t’i sakrifikuar ata dhe për të krijuar argument që pastaj ta akuzonte NATO-n për vrasje të popullsisë civile. Kurse NATO-ja kishte burimet e veta të informacionit sidomos bashkëpunimi me UÇK-në që e ndihmonte shumë për të marrë informacione të sakta për lëvizjen e forcave serbe në terren”, ka thënë ai.
Ndërsa edhe Demaj ka rrëfyer përjetimet e tij të vështira gjatë vitit 1999.
“Unë në atë kohë si mësimdhënës fare i ri kam jetuar ne lagjen ‘Ulpiana’ në Prishtinë. Rrymë nuk kishte, telefonat u ishin ndërprerë të gjithë shqiptarëve, vetëm ndonjë telefon që ishte në emër të serbëve ose malazezëve funksiononte. Bukë nuk kishte (të rralla ishin furrat që punonin), njerëzit (sidomos shqiptarët) nuk lëviznin nëpër qytet për arsye sigurie. Në ‘Ulpianë’ nga data 24 mars filloi dëbimi masiv i shqiptarëve nga banesat e tyre në drejtime të ndryshme, çdo ditë e më shumë krijoheshin grupe paramilitare nga serbë lokalë, malazezë, boshnjakë e sidomos romët e armatosur dëbonin e plaçkitnin shqiptarët, madje edhe i rrihnin e torturonin”, ka treguar ai./Zëri/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...