Google ADS

Dema thotë se Hasani ka krijuar dhe mbikëqyrur kontratën për të cilën akuzohet

14:50 | 10 Tetor 2017
Arbresh.info

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po zhvillohet gjykimi ndaj ish- rektorit të UP-së, Enver Hasani, në të cilin rast po dëshmon rektori i tanishëm i UP-së, Marian Dema.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores speciale, Drita Hajdari, rektori Dema tha se në vitin 2008 ka qenë prorektor për financa në Universitetin e Prishtinës dhe se nuk ka pasur ndonjë kompetencë për lidhjen e kontratave mes UP-së dhe subjekteve tjera.

Sipas tij, kjo kontratë është krijuar dhe mbikëqyrur nga ish-rektori Enver Hasani, shkruan arbresh.info.

“Zyrën e Prokurimit e ka pastruar, duke e larguar nga puna zyrtarin e prokurimit Kreshnik Gashi, në atë kohë nuk e kam ditë çka po ndodh, por tash kur e kam lexuar e kam të qartë si loti se çka ka ndodhur. Sjellja e Haki Veliut si zyrtar i Prokurimit pa konkurs, largimi i Kreshnik Gashit pa asnjë arsye, mbi 10 deri 20 herë më ka pyetur çka po ndodh me tenderin e përkthimeve, afërsia e tij me njerëzit e këtij Institut.  Ka qenë vjeshta e vitit 2009 kur më ka thirr Enver Hasani në Villa Gërmia, aty ka qenë Haki Veliu dhe aty jam njoftuar me këtë kontratë, por s’e kam parë. Aty i kam thënë Haki Veliut se ke bërë një gabim sepse jam i bindur se Veliu nuk i ka njohur personat e Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN)”, është shprehur Dema në dëshminë e tij.

Ai tha se nuk i ka njohur as nuk ka pasur shoqëri me asnjë person të ISN-së dhe as Haki Veliun.

Dema shtoi se mban përgjegjësi për këto që i tha.

“Për këto çka po them mbaj përgjegjsi penale, profesionale dhe morale”, u shpreh Dema.

/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme