Google ADS

Deliu pas shkarkimit të Gashit: Dëmi u bë, argati u krye

17:23 | 25 Prill 2020
Arbresh.info

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka reaguar pas shkarkimit që ia bëri kryeministri në detyrë, këshilltarit të tij, Shkelzen Gashi pas deklarateve të këtij të fundit kundër UÇK-së.

Me anë të një postimi në Facebook, Deliu këtë veprim të Kurtit e ka cilësuar si të vonshëm, duke thënë se tanimë dëmi veç është bërë.

Sipas Deliut, Vetëvendosje po i jep Serbisë argument për të përforcuar arsenalin e tyre kundër shtetësisë së Kosovës.

“Prandaj, njollosja e dyfishtë – e luftës sonë për liri dhe rolit amerikan në Kosovë nuk janë thjesht qëndrime refleksive, por të menduara dhe peshuara mirë për kontekstin aktual kohor”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Dëmi u bë! Argati u krye!

Nuk është i panjohur tashmë fakti se gjithmonë në prag të vendimeve historike për Kosovën, Vetëvendosje gjendet e aktivizuar për të përmbysur të gjitha argumentet e Kosovës dhe për rrjedhojë, për t’i përforcuar ato të shtetit serb. Kosova ka edhe viktimat e saj të një ‘lëvizje’ të turpshme kundër shpalljes së pavarësisë dhe gjitha lëvizjeve të pastajshme për ta deligjitimuar atë, me të njëjtat argumente që përdorte e vazhdon të përdorë Beogradi.

Vetëm sa për ta freskuar kujtesën, pa e zgjatur më shumë, sepse këto janë historina të vonshme dhe të gjithë jemi dëshmitarë të tyre.

Tash, kur Kosova gjendet para përmbylljes finale të konfliktit me Serbinë, jo rastësisht, Vetëvendosje shfaqet e angazhuar për t’i sulmuar dy shtyllat bazë mbi të cilat qëndron e drejta jonë dhe siguresa e jetësimit të kësaj të drejte.

Demonizimi i rolit amerikan në Kosovë bashkangjitur me demonizimin e luftës së Kosovës për liri, janë dy përbërësit kryesor të propaganës së gatuar në kuzhinat e Serbisë dhe Rusisë. Ndërkohë që paralelisht, pastron figurën e Presidentit serb dhe i ndërton imazhin human pushtetit të tij për ta lejuar pastaj këtë pushtet të administrojë lirshëm mbi veriun e Kosovës.

Dy argumente të ndërtuara nga përfaqësues tanë (Vetëvendosje), për ta përforcuar arsenalin e argumenteve të Serbisë kundër shtetit e shtetësisë së Kosovës, në përballjen finale.

Prandaj, njollosja e dyfishtë – e luftës sonë për liri dhe rolit amerikan në Kosovë nuk janë thjesht qëndrime refleksive, por të menduara dhe peshuara mirë për kontekstin aktual kohor.

Kësisoj duhet kuptuar të gjithë se kriminalizimi i luftës sonë për liri nga këshilltari politik e Kryeministrit në ikje, nuk është thjesht një pikëpamje personale, por pjesa e domosdoshme për kompletimin e imazhit demonik të Kosovës në prag të marrëveshjes finale me Serbinë.

Në ngutje para se të mbetet përfundimisht pa pushtet, Kurti e veshi këtë person me kompetencë politike për t’i dhënë peshë e jehonë ‘krimit’ shqiptar ndaj civilëve serb, në luftën me të lavdishme për Kosovën dhe të vetmën për një kohë të gjatë të mbështetur nga e gjithë bota civilizuese.

Dëmi u bë!

Shkarkimi është vetëm një farsë që nuk mashtron më askë.

I vetmi sinqeritet që i shpëtoi Kryeministrit në ikje, në gjithë këtë ngjarje, është “Çmuarja” e tij për argatin e kryer!.

 

Të ngjashme