Deliu – Kodra: Qytetarët do të lëvizin pa viza brenda këtij viti

08:29 | 23 Mars 2018
Arbresh.info

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, ka bërë me dije se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë këtë vit.

Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se me miratimin e demarkacionit me Malin e Zi, Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për këtë proces.

“Si kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane kam realizuar takime të shumta bilaterale dhe kam pasur diskutime të shumta lidhur me këtë proces por, duke ditur se ky proces ka procedura vendimmarrëse, nuk mund të flasim për datë të saktë se kur do të n dodhë lëvizja e lirë për qytetarët tanë. Jam optimiste që pas përfundimit të procedurave vendimmarrëse që i përmenda më lart, qytetarët do të lëvizin pa viza brenda vitit 2018”, ka theksuar ajo.

Deliu-Kodra ka vlerësuar se luftimi i krimit dhe korrupsionit është më shumë kriter monitorues, i cili nënkupton se duhet të plotësohet edhe pas liberalizimit të vizave.

“Lidhur me kriterin që ka të bëjë me luftimin e korrupsionit nga ana e institucioneve vendore, konsideroj se janë bërë hapa të konsiderueshëm nga ana e institucioneve tona, por duhet të kemi parasysh se ky kriter është më shumë monitorues, që do të thotë se, edhe pas liberalizimit të vizave, do të kërkohet të kemi luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Deliu-Kodra.

Sipas saj, me ratifikimin e demarkacionit Kosova ka treguar seriozitet për përmbushjen e kritereve dhe përkushtim për avancimin e rrugës evropiane.

“Kemi pasur një rrugë të gjatë dhe shumë të mundimshme deri në përmbushjen e të gjitha kritereve, gjë që është parë edhe gjatë ditëve e viteve të kaluara, por tanimë shpresoj dhe besoj se kemi përmbushur të gjitha kërkesat lidhur me përfundimin e këtij procesi. Qytetarët tanë do ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, kaq gjatë të mohuar”, është shprehur ajo./Epoka e Re/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme