Deliu-Kodra: Jemi fitues në 12 komuna

00:15 | 24 Tetor 2017
Trina Galanxhi

Partia Demokratike e Kosovës është ndarë e kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit. Blerta Deliu-Kodra, deputete e PDK-së, ka thënë se kjo parti synon që më 19 nëntor të fitojë të gjitha komunat në të cilat është në balotazh.

Sipas saj, PDK është fituese në 12 komuna, përfshirë edhe Skenderajn ku nuk kishte kandidat të kësaj partie.

“Është rezultat i kënaqshëm për PDK-në. Jemi fitues në 12 komuna. Kemi dy fitore pa balotazh, në Drenas dhe Skenderaj ku e konsiderojmë fitore sepse kemi mbështetur Jasharin për kryetar, por për asamble kemi më shumë se 70 për qind të votave. Skenderaj mbetet bastion i PDK-së. Kemi shtatë komuna ku prijmë dhe kemi disa të tjera ku jemi në balotazh. Është e rëndësishme të thuhet se kemi kthyer Ferizajn dhe Mitrovicën. Kemi pjesën e balotazhit ku do të konfirmojmë fitoren e përgjithshme. Kemi qeverisur dhjetë komuna, ndërsa tani kemi 12”, ka thënë ajo në një intervistë për KTV-në.

Ajo ka thënë se kjo parti nuk ka vendosur akoma se kë të përkrahë në komunat ku nuk merr pjesë në balotazh, apo ku do të bëjë koalicione në komunat ku është në balotazh. Deliu-Kodra ka thënë se PDK do të jetë vendimtare në shumë komuna në vend, përfshirë edhe Prishtinën.

“Ne do të jemi parti determinuese në shumë komuna. Do të mendojmë me shumë kujdes se me kë do të bashkëqeverisim në komunën e Prishtinës”, ka thënë në fund ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme