Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra në një konferencë për media ka shprehur pakënaqësi lidhur me mosmiratimin e rezolutës për arsimin të propozuar nga PDK dhe keqmenaxhimin e sistemit arsimor në kohën e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Deliu Kodra ka thënë se një iniciativë e tillë do të duhej të trajtohej nga Qeveria dhe jo të kritikohej opozita, që ka kërkuar të diskutohet në Kuvend për sfidat e arsimit në pandemi.
“Diskutuam për sfidat e shënuara përgjatë kësaj periudhe dhe evidentuam disa nga masat dhe veprimet emergjente që duhet ti marrë kjo qeveri në raport me 450 mijë nxënës, mbi 100 mijë studentë dhe mbi 30 mijë mësimdhënës. Nëse faza e parë e pandemisë kishte shumë të panjohura në Qeverinë Kurti 1, ne si opozitë treguam mirëkuptimin e nevojshëm dhe mbështetëm edhe ato pak masa në menaxhimin e situatës. Megjithatë sot pandemia nuk është diçka e panjohur e as pasojat e saj. Secila familje kosovare është ballafaquar me sfidën e mësimit në distancë si pasojë e COVID-19.”, ka thënë ajo.
Deliu Kodra ka theksuar se Qeveria Kurti duhet t’u japë përgjigje më shumë se 30 mijë nxënësve dhe familjeve të cilëve nuk arriti t’u siguroj çasje në mësimin online dhe t’u sigurojë pajisje elektronike nxënësve në nevojë.
“Shkollat dhe komunat u braktisën nga kjo Qeveri dhe vendimet e Qeverisë Kurti e sollën sistemin arsimor drejt dështimit të plotë sepse nga njëra anë kjo qeveri e refuzoi vaksinimin e mësimdhënësve të cilën e ofroi si mundësi Shqipëria, por nga ana tjetër deri tani nuk ka vaksinuar asnjë mësimdhënës. Dhe më e keqja është se kjo qeveri ende nuk ka asnjë plan për vaksinimin e mësimdhënësve gjatë muajve të verës, çka rrezikojmë të kemi edhe një vit të ri mësimor të dështuar. Pas debatit disa orësh në Kuvend, ne sot propozuam që kjo qeveri t’i japë fund nëpërkëmbjes së nxënësve dhe mësimdhënësve dhe në këtë mënyrë të mbështesë konkretisht, financiarisht mësimdhënësit në shumë prej 100 euro në muaj për muajt prill, maj dhe qershor. Por këto propozime të PDK-së të dakorduara me LDK-në dhe AAK-në nuk u mbështetën nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje dhe kjo është për keqardhje. “, ka thënë ajo.
Deliu Kodra ka theksuar se PDK nuk do t’i ndalë përpjekjet dhe angazhimin për t’i mbështetur nxënësit dhe mësimdhënësit kosovarë edhe në aspektin e përmirësimit të cilësisë së arsimit por edhe në përmirësimin e kushteve të tyre. /arbresh.info/
KQZ me fushatë për promovimin e barazisë gjinore në proceset...
Kurti: Regjistrimi i popullsisë ofron pasqyrë të saktë për t...
Zgjedhjet e 11 majit, Rama: Votimi i diasporës proces komple...
Hamza: Gjithçka është shtrenjtuar, unë do t’i rris pagat dhe...
Përfshihet nga zjarri një veturë në Prishtinë, policia jep d...
Mori një goditje të fortë në fytyrë nga kundërshtari, dalin ...