Deliu: BE të reagoj për ndalesën që Serbia ua bëri deputetëve dhe karateistëve

14:33 | 9 Maj 2018
V. S.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu ka reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Serbisë për t’ia mohuar të drejtën për të marr pjesë në një konferencë të organizuar nga Kryetari i Komisionit për Integrime i Kuvendit të Serbisë  Nenad Canak.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se veprimi i Serbisë po e zbeh entuziazmin e ruajtjes së frymës së bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Postimi i plot:

Vendimi i Kuvendit të Serbisë për të tërhequr ftesën për pjesëmarrje në Konferencën e organizuar nga Kryetari i Komisionit për Integrime i Kuvendit të Serbisë z. Nenad Canak tregon qartë se pushteti serb nuk është i gatshëm të shkëputet nga e kaluara për t’u orientuar në drejtim të asaj për të cilën BE-ja është duke u angazhuar fuqishëm e që është demokracia, zhvillimi dhe fqinjësia e mirë. Duke iu nënshtruar presioneve dhe kërcënimeve të individëve të dënuar për krime lufte dhe gjenocid si Vojvlav Shesheli, po dëshmohet qartë që persona të tillë përcaktojnë ende agjendat dhe janë faktor i politikbërjes së një shteti që po e negocion anëtarësimin në BE

Kosova si shtet, ka dëshmuar gjithmonë se është e orientuar kah fqinjësia e mirë.

Sot në Ditën e Evropës kërkojmë nga përfaqësuesit e Institucioneve të Bashkimit Evropian, të reagojnë kundër këtij akti – më tepër duke pas parasysh edhe faktin që po i njëjti shtet sot i ndaloi edhe karateistet kosovar pa asnjë bazë te marrin pjesë në kampionatin evropian në Novi Sad.

Veprimi i fundit i Serbisë zbeh entuziazmin e ruajtjes së frymës së bashkëpunimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor për të ecur bashkërisht drejt Integrimit Evropian./arbresh.info/

Të ngjashme