Google ADS

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në sesionin vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

19:41 | 30 Shtator 2021
L G

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përbërje, Saranda Bogujevci, kryesuese e delegacionit, njëherësh nënkryetare e Kuvendit, si dhe deputetët Arben Gashi dhe Enis Kervan, anëtarë, të shoqëruar nga ambasadorja, Mimoza Ahmetaj, mori pjesë në punimet e Sesionit vjeshtor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për vitin 2021, i cili u mbajt nga 27-30 shtator në Strasburg të Francës.

Në njoftimin nga Kuvendi i Kosovës thuhet se një nga temat që zuri vend në diskutimet e këtij sesioni ishte “Ballkani Perëndimor midis sfidave demokratike dhe aspiratave evropiane dhe roli i Këshillit të Evropës”.

Krahas pjesëmarrjes në punimet e sesionit parlamentar, delegacioni i Kosovës mori pjesë edhe në trupat punues të këtij institucioni, si në: Komitetin për Politikë dhe Demokraci, Komitetin për Çështje Ligjore dhe Drejta të Njeriut, Komitetin për Migracion, Refugjatë dhe Persona të Zhvendosur, si dhe në Komitetin për Kulturë, Shkencë, Edukim dhe Media.

Po ashtu anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në APKE, morën pjesë edhe në takimet e grupeve politike të përfaqësuara në Asamble.

Drejtuesja e delegacionit, Saranda Bogujevci, në fjalën e saj në takimin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, u ndal te zhvillimi i demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo tha se në rajon ka vende që e dëshirojnë demokracinë, por ka edhe vende të cilat tashmë janë duke rënë nxitimthi drejt autokracisë. Ka shtete, siç tha ajo, që ende presin të bëhet drejtësi për gjenocidin dhe krimet e tjera të luftës, por ka edhe të tilla që i kanë shkaktuar ato në të kaluarën dhe lidershipi politik refuzon të distancohet dhe të marrë përsipër dënimin e tyre.

“Në vendin tim, për shembull, ne kemi një demokraci vibrante, ku shoqëria ka lëvizur drejt ndryshimeve esenciale dhe pret e uritur t’i shohë ato të jetësohen. Përpjekje shoqërore dhe të institucioneve i shohim në Shqipëri. Ngjashëm, me ulje ngritjet e natyrshme për shoqëritë si tonat i shohim dhe në Mal të Zi dhe Maqedoninë e veriut ku, patjetër unë si shqiptare pres që dhe më shumë, madje ashtu siç duhet, të respektohen dhe përmbushen të drejtat e shqiptarëve aty”, theksoi Bogujevci.

Por, siç tha ajo, situata nuk është e njëjtë në lidhje me Serbinë për fat të keq dhe faktet, sipas saj, janë të njohura për mbarë botën, duke filluar nga mohimi i gjenocidit, deri te mohimi i të drejtave të shqiptarëve veçanërisht, por jo më pak edhe të boshnjakëve.

Bogujevci tha se Kosova është duke punuar për ta kapërcyer nivelin në të cilin gjendet aktualisht dhe se në këtë rrugëtim ka nevojë për miq dhe mbështetje.

“Të drejtat e qytetarëve tanë nuk janë të plota nëse ata nuk kanë qasje në Gjykatën e Strasburgut organ i këtij këshilli të nderuar. Ndaj jepnani ndihmën tuaj që ne të ndihmojmë qytetarët tanë. Anëtarësimi ynë do të ishte një shenjë kuptimplotë se Evropa jonë është edhe e qytetarëve tanë“, theksoi nënkryetarja Bogujevci.

Deputeti Enis Kervan, gjatë takimeve të Grupit Politik ALDE, duke folur mbi gjendjen aktuale në lidhje me targat, tha se Qeveria dhe Policia e Kosovës po zbaton masat reciproke në raport me Serbinë.

Tutje, gjatë një diskutimi mbi përfaqësimin e grave në parlament, Kervan shtoi se Kosova mund të merret si model në rastin e vendeve më të vogla në fjalë.

“Ne përfaqësohemi nga gjashtë anëtarë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në delegacion janë tri deputete gra dhe tre deputetë burra. Kreu i delegacionit tonë, i cili është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, është gjithashtu një grua”, theksoi Kervan.

Të ngjashme