Delegacioni i Kuvendit të Kosovës kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE

18:30 | 26 Qershor 2024
E.G

Në vazhdën e takimeve, delegacioni i Kuvendit të Kosovës në APKE ka zhvilluar takime të ndara edhe me krerët e grupeve politike: Frank Schwabe, Grupi i Socialistëve, Demokratëve dhe të Gjelbërve, Davor Stier,
Partia Popullore Evropiane, Julian Bulai, Aleanca e Liberaleve dhe Demokratëve të Evropës.

Në takimet me ta, anëtarët e delegacionit, kryesuar nga Nënkryetarja Bogujevci, falënderuan krerët e grupeve politike për angazhimin dhe mbështetjen e tyre të fuqishme në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin
e Evropës, përcjell Arbresh.info.

Anëtarët e delegacionit po ashtu kërkuan që kjo mbështetje të vazhdojë edhe me tutje, që Kosova sa më parë të jetë anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë multilaterale, nga e cila do të përfitojnë dy palët,
edhe Kosova, por edhe vet Këshilli i Evropës.

Po ashtu krerët e grupeve politike premtuan se angazhimi i tyre nuk do të mungojë asnjëherë dhe se presin që sa me shpejt edhe Komiteti i Ministrave të marrë për bazë raportin e Asamblesë dhe të marrë vendim të
ftojë Kosovën të bëhet shteti i 47 anëtar i kësaj organizate.

Palët u pajtuan që me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës më së shumti do të përfitojnë qytetarët e Kosovës, ku përveç tjerash do t’u jepet mundësia t’i adresohen edhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat
e Njeriut, kurdo që ata mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur apo mohuar.

Delegacioni takime ka pasur edhe me Presidentin e APKE-së, Theodoros Rousopoulos, si dhe me krerët e Grupeve Politike dhe delegacionin e Kanadasë, të kryesuar nga Francesco Sorbara.

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në APKE, përbëhet nga Saranda Bogujevci, kryesuese, Arben Gashi, Enis Kervan, Ariana Musliu Shoshi dhe Besnik Tahiri.

“Më 16 prill 2024, me 131 vota pro, 29 kundër dhe 11 abstenime, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi raportin e znj. Theodora Bakoyanis, nëpërmjet të cilit rekomandon Komitetin e Ministrave që të ftojë
Kosovën të bëhet anëtare me të drejta të plota e kësaj organizate.”, thuhet në njoftim./Arbresh.info/

Të ngjashme