Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Greg Delawie, me rastin e përfundimit të mandatit të tij, ka porositur politikën kosovare që të qëndrojë jashtë proceseve gjyqësore duke thënë se pengesat në këto fusha mund të jenë problem i madh për të ardhmen e Kosovës.
Në një pritje lamtumirëse të organizuar nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, diplomati amerikan tha se po largohet nga Kosova me ndjenja të përziera, por pret që në ardhmen të dëgjojë lajme të mira për Kosovën.
“Më duhet të them se kam ndjenja të përziera. Më vjen mirë që po shkoj në Kosovë, por më vjen keq që po shkoj nga Kosova… Politikanët të rrinë jashtë proceseve gjyqësore. Pengesat në këto fusha mund të jenë problem i madh për të ardhmen e Kosovës…Miratimi në mars për shënimin e kufirit ishte fitore e rëndësishme për Kosovën dhe zoti kryeministër, edhe pse nuk pajtohemi për çdo gjë e di se kemi punuar shumë për këtë çështje së vështirë. Kosovës i nevojitet së tepërmi fryma e bashkëpunimit dhe ju nxis të punoni së bashku për të gjetur gjërat e përbashkëta”, tha Delawie.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar rolin e Greg Delawie gjatë kohës sa shërbeu si diplomat amerikan në vendin tonë, duke punuar së bashku në progresin dhe sfidat e ndryshme me të cilat përballet vendi ynë.
“Jam shumë mirënjohës në emër të institucioneve zoti ambasador, jam shumë mirënjohës ndaj SHBA-së që qëndruan afër nesh që Kosova të fuqizohet edhe më tepër në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar dhe ky fuqizim është mëritë e përbashkët e jona, e BE-së dhe NATO-s. Na mbeten edhe më tutje dy sfida kryesore që të lëvizim përpara, anëtarësimi në NATO dhe BE. Është mirë që tash kemi procesin e themelimit të Forcave të armatosura në Kuvend. Kam besim të plotë se ky proces do të bashkojë skenën politike… Na mbetet sfida tjetër anëtarësimi në BE…Do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim edhe më tej, duke përfshirë normalizimin e raporteve me të gjithë fqinjët, përfshirë edhe Serbinë. Është fat që gjithë në Kosovë janë në favor të dialogut dhe arritjes së marrëveshjes përfundimtare historike mes Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen reciproke”, është shprehur ai.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur rreth përvojës së tij së punës me Greg Delawie gjatë kohës që ambasadori amerikan shërbeu në krye të misionit të SHBA-së në vendin tonë, duke thënë se ka bërë një punë të jashtëzakonshme në thellimin e bashkëpunimit Kosovë-SHBA.
“Pak kam parë njeri në jetën time, i cili nga natyra është aq i qetë dhe aq i vendosur, Do të thosha që gjatë tri viteve që kemi kaluar, do të thosha se kemi pasur fatin që ambasadori të jetë së bashku me ne në Kuvendin e Kosovës nuk kanë qenë të lehta, kanë qenë sfiduese, por dua ta them këtë fakt. Po të mos ishte ky ambasador, me vendosmërinë e tij, me këshillat dhe përkrahjen që i ka dhënë Kuvendit të republikës së Kosovës, gjithsesi sot Kosova jonë nuk do të ishte ku jemi aktualisht”, ka thënë ai.
kryeministri Ramush Haradinaj në fjalimin e tij në gjuhën angleze theksoi se ambasadori Delawie ka bashkuar sonte të gjitha komunitetet në Kosovë, të cilat po marrin pjesë në pritjen e organizuar me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Kosovë.
“Mendoj se jemi unik sa i përket dashurisë sonë për SHBA dhe do të dëshironim që kjo dashuri të transformohet në marrëdhënie të veçanta. Zoti ju bekoftë juve, familjet tuaja dhe SHBA-në”, u shpreh ai.
Greg Delawie nisi punën si ambasador në vitin 2015 kur nominua nga ish-presidenti Barack Obama në vitin 2015 për ambasador të ri të SHBA në Kosovë.
Në vitet e para të shërbimit të tij në Departamentin e Shtetit, ai shërbeu në Ankara të Turqisë, në Frankfurt të Gjermanisë, dhe po ashtu detyrat të tjera të tij përfshijnë zyrtar në Uashington për Organizatën e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik. Ai po ashtu ka punuar në politikën e burimeve njerëzore dhe të sigurisë së aviacionit.
Prej vitit 1994 deri më 1996, Delawie ka qenë zëvendësshef në Divizionin për Tregti dhe Punë Bilaterale në Zyrën e Byrosë për Çështje Ekonomike dhe të Biznesit. Më pas ai shkoi në ambasadën amerikane në Romë, në cilësinë e këshilltarit për ekonomi. Pas kësaj, Delawie u kthye në Uashington ku punoi në Byronë e Burimeve Njerëzore dhe në qershor të vitit 2001 u emërua drejtor i zyrës për koordinimin e zyrës, post të cilin e mbajti deri në korrik të vitit 2003.
Delawie në gusht të vitit 2004, shkoi jashtë shtetit, ku mori postin e zëvendës shefit të misionit në Zagreb të Kroacisë. Në gusht të vitit 2007 ai u kthye në SHBA dhe mori postin e drejtorit të Byrosë për Çështje Bilaterale të Tregtisë pranë Zyrës së Byrosë për Çështje Ekonomike dhe të Biznesit si dhe drejtori i Politikave të tregtisë dhe programeve. Ai gjithashtu promovoi marrëveshjen e tregtisë së lirë me Korenë e Jugut, Kolumbinë dhe Panamanë, transmeton ksp.
Në vend të Delawie do të vijë Philip S. Kosnett, ambasadori i ri i SHBA-së në Prishtinë, i cili ka punuar si i ngarkuar me punë të përkohshme në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Ankara. Ai ka shërbyer edhe si zëvendësshef i Misionit Amerikan në Uzbekistan dhe në Islandë. Po ashtu, ai gjatë karrierës ka qenë i angazhuar edhe në pozita të ndryshme politike, politike-ushtarake dhe ekonomike-tregtare në Afganistan, Irak, Kosovë, Holandë e Japoni.
Ambasadori i ri amerikan në Kosovë ka qenë i angazhuar në zyrë të Departamentit të Shtetit për Evropë kundër terrorizmit, politiko-ushtarake, të Inteligjencës dhe Kërkimit.
Pasuesi i Greg Delawie në Prishtinë, është i diplomuar në Universitetin e Harvardit. Ai është nderuar me 10 çmime të Departamentit të Shtetit, ka marrë Medaljen e Zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes për Shërbim Civil të Jashtëzakonshëm dhe Medaljen e Departamentit të Këmbësorisë për Shërbim Civil të Shkëlqyer.
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...
Epoka digjitale sjell reduktimin e përdorimit të stilolapsev...