Google ADS

Delawie: Miratoni ligje të rëndësishme për ta luftuar korrupsionin

15:49 | 14 Prill 2017
Arbresh.info

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Greg Delawie nëpërmjet një video linku ka porositur deputetët e Kuvendit të Kosovës që të miratojnë ligjet qw luftojnë korrupsionit.

Ai është fokusuar në veçanti në dy ligje: atë për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, dhe Ligjin e ri për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët .

Porosia e Delawie:

Dua të flas për dy gjëra që Kosova mund t’i bëjë pikërisht tani për ta luftuar korrupsionin – ta miratojë Ligjin e ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, dhe ta miratojë Ligjin e ri për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët kur ky ligj të arrijë në Kuvend.

Me ndryshimin e Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale Kosova mund të sigurojë që të gjithë të burgosurit të trajtohen barabartë pa marrë parasysh lidhjet e tyre politike apo statusin e “njerëzve të famshëm”.

Kur kam ardhur në Kosovë herën e parë u befasova kur mësova se disa të burgosur të dënuar ishin lejuar që thjeshtë të bredhin lirshëm me arsyetime të rrejshme mjekësore.

Këta kriminelë me lidhje të mira politike pretendonin se ishin të sëmurë, bënin presion në Ministrinë e Drejtësisë për t’i lënë jashtë burgut për trajtim mjekësor, dhe pastaj kalonin muaj të tërë duke udhëtuar nëpër rajon, dhe madje dhanë edhe intervista televizive.

Kjo fare nuk është mënyrë për t’i treguar popullit të Kosovës se të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kjo e shndërroi në farsë këtë parim themelor të sundimit të ligjit.

Prandaj, unë dhe qeveria ime vazhdimisht nxisnim qeverinë e Kosovës që të bëjë diçka për të mbyllur këto vrima ligjore. Jam i kënaqur që Ministrja e Drejtësisë dhe ekipi i saj kanë bërë ndryshime në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të cilat do ta kalojnë vendimmarrjen për atë se kush do të lirohet për trajtim mjekësor në duart e mjekëve dhe gjykatësve, jo në duart e politikanëve. Kjo do t’i tregojë Kosovës dhe botës se udhëheqësit e Kosovës janë të përkushtuar ndaj drejtësisë.

Fatkeqësisht, Kuvendi i Kosovës nuk e ka kaluar këtë ligj ende edhe pse ka pasur disa herë mundësinë që ta bëjë këtë. Edhe më keq, disa anëtarë të Kuvendit paraqitën një amandament i cili automatikisht do t’i zvogëlonte dënimet e të gjithë të dënuarve për një të tretën – veprim ky i cili do të tallte autoritetin gjyqësor. Sot në burgjet e Kosovës ka terroristë të dënuar të cilët do të liroheshin menjëherë nëse ky amandament i paarsyeshëm do të bëhej ligj. E nxis Kuvendin që të miratojë ligjin e ri për Sanksione Penale pa kurrfarë amandamentesh. Kjo është një mënyrë për t’i treguar Evropës dhe botës se ju jeni të përkushtuar ndaj luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

Kjo poashtu do të tregojë se Kosova e meriton reputacionin e mirë që e ka në luftën ndërkombëtare kundër ISIS-it.

Udhëheqësit e Kosovës mund të shfaqin përkushtimin e tyre ndaj luftës kundër korrupsionit edhe duke miratuar Ligjin e ri për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët. Shumica e gjykatësve dhe prokurorëve angazhohen shumë për të kryer një punë të mirë në shërbim të bashkëqytetarëve të tyre. Por, është një pjesë e vogël e tyre veprimet e të cilëve minonjë drejtësinë dhe si rezultat i kësaj qytetarët dyshojnë në ndershmërinë e tërë sistemit. Kemi punuar ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë për të përpiluar ligje që do të reformojnë sistemin për të kërkuar llogaridhënie nga gjykatësit dhe prokurorët për efektshmërinë e tyre.

Ky ligj është me gjasë hapi më kryesor që Kosova mund ta bëjë për të përmirësuar sistemin e drejtësisë duke e bërë atë diçka në të cilën populli i këtij vendi me të vërtetë mund të llogarisë. Pres që ky ligj të miratohet kur qeveria ta dorëzojë atë, dhe shpresoj se kjo do të ndodhë më vonë gjatë këtij muaji.

Kosova gjendet vendosmërisht në shtegun e vet Evropian. Ju keni një Kushtetutë, një Qeveri, dhe një popull që i përqafon vlerat Euro-Atlantike. Unë jam i bindur se ju mund t’i miratoni ligjet për ekzekutimin e sanksioneve penale dhe për procedurat disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët, dhe se ju mund ta mposhtni korrupsionin. Krejt çka duhet për këtë është vullneti politik dhe përkushtimi për ta vendosur popullin e Kosovës dhe fatin e tij në vend të parë. Ambasada ime dhe unë mbesim të përkushtuar për ta mbështetur popullin të Kosovës dhe rrugën e tij drejt zemrës së Evropës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme