Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, tha sot se SHBA-të mbeten të përkushtuara për Kosovën si shtet sovran, demokratik dhe të integruar në komunitetin botëror, ndërsa tërhoqi vërejtjen se tash nuk ka vend për ngërç dhe se politikanët kosovarë duhet t’i lënë anash interesat e tyre partiake, në mënyrë që të punojnë për të mirën e qytetarëve.
Ai këto komente i bëri me rastin e shënimit të përvjetorit të 241-të të shpalljes së pavarësisë së SHBA-ve, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, partive politike, misioneve ndërkombëtare në Kosovë, si dhe të ftuar të tjerë.
Delawie ka përshëndetur përparimin e arritur në Kosovë, por tërhoqi vërejtjen se kohëve të fundit ka shumë ngecje në vend.
“Nuk ka dyshim se Kosova ka arritur shumë në këto 21 vite- përparimi është i pamohueshëm. Por mendoj se është e qartë se entuziazmi i hershëm është zbehur paksa. Po shohim më shumë ngecje e më pak përparim. Më shumë njerëz shqetësohen më tepër rreth të ardhmes së tyre politike se sa për të ardhmen e vendit të tyre. Qytetarët e Kosovës e shohin këtë po ashtu. Disa e kanë shprehur pakënaqësinë e tyre “duke i prishur” fletëvotimet në zgjedhjet e para disa javëve. Besoj se Kosova sot është në pikë kthimi. Çka do të shohim përderisa shikojmë kah e ardhmja? Më shumë ndryshim pozitiv, apo më shumë ngecje? Gjatë vitit të ardhshëm, a do të përparojë më shumë ky vend, a do të ecë përpara në rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik dhe të përmirësimit të jetës së qytetarëve, apo do të qëndrojë në një vend? Mendoj se zgjidhja dhe rezultati i kësaj zgjidhjeje do të përcaktohet në masë të madhe nga njerëzit që janë sonte këtu”, ka thënë diplomati amerikan.
Duke folur për historinë e popullit amerikan, Delawie ka përkujtuar se gjërat dukeshin të pashpresa deri në momentin kur Roger Sherman dhe Oliver Ellsworth dolën me një zgjidhje për Dhomën Përfaqësuese dhe Senatin, ide kjo e cila u bë e njohur si “kompromisi i madh”, që paraqet kthimin e parë në historinë e Kushtetutës së SHBA-ve.
“Kompromisi i madh paraqet një mësim të rëndësishëm për udhëheqësit sot, veçanërisht përderisa Kosova fillon ta formojë qeverinë e vet të re. Levat ndërkombëtare që kanë mbështetur vendimmarrjen në të kaluarën në Kosovë nuk janë aq aktive si dikur. Bota është e shpërqendruar, shumë vende janë të preokupuara me çështjet e brendshme. Sytë e të gjithëve nuk janë të kthyer nga Ballkani tash. Gjithnjë e më shumë po llogarisim në juve për t’i marrë vetë vendimet e juaja dhe për të marrë përgjegjësinë për to”, ka thënë Delawie.
Duke përkujtuar se në të kaluarën Kosova ka tërhequr vëmendjen e botës për arsye negative, diplomati amerikan porositi se Kosova sot duhet ta rikthejë vëmendjen e botës në kuptimin pozitiv duke demonstruar se jeton në përputhje me vlerat euroatlantike dhe se udhëheqësit kosovarë duhet ta demonstrojnë këtë dhe t’i bindin bashkëqytetarët e tyre për t’i mbështetur.
Ai ka porositur udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike që të punojnë për interesat e Kosovës, duke lënë anash interesat e tyre personale, pasi tash nuk ka kohë për ngërç.
“Në këtë pikë kthimi nuk kemi kohë më për ngërç, është koha për përparim. Këtë e duan qytetarët e Kosovës dhe këtë e meritojnë. Përderisa kremtojmë përvjetorin e 21-të të Ditës së Pavarësisë së bashku, shpresoj se të gjithë mund të pajtohemi- prej qeverisë e deri tek opozita dhe prej bujkut e deri te shërbyesi civilë – se Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes të shpenzojë më shumë kohë apo energji duke qëndruar në një vend. Ajo duhet t’i kthehet vendosmërisë të së ardhmes dhe ta ngazëllejë botën me përparimin e saj. Duhet të vë sistem të sundimit të ligjit që garanton mbrojtje të barabartë dhe llogaridhënie të barabartë për të gjithë. Ajo tashmë e ka demonstruar se mund të mbajë zgjedhje sipas mënyrës perëndimore, tani duhet të demonstrojë se mund të qeveriset në të njëjtën mënyrë”, ka thënë Delawie.
Ai ka thënë se SHBA-të mbeten të përkushtuara për Kosovën si shtet sovran, demokratik dhe i integruar në komunitetin botëror.
“Kam shpresë se do të shohim udhëheqësit-qeveritarë e opozitarë- që e demonstrojnë përkushtimin e njëjtë. Udhëheqës që demonstrojnë vlerën e kompromisit për hatër të zgjidhjes, si dhe vlerën e bashkëpunimit për hatër të përparimit të përbashkët, për ta krijuar të ardhmen e Kosovës si demokraci e rëndomtë evropiane”, ka thënë diplomati amerikan.
Ndryshe, më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan. Ky dokument u hartua kryesisht nga 32-vjeçari Tomas Xheferson.
Njëra pjesë e Deklaratës përmbante një listë ankesash kundër mbretit Xhorxhi i Tretë dhe Parlamentit të Anglisë. Pjesa tjetër e Deklaratës, përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit.
“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”.
Deklarata e Pavarësisë shihet si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Dokumenti tjetër është Kushtetuta. Në Shtetet e Bashkuara 4 korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare – Dita e Pavarësisë.
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...