Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë për televizionin lokal serb nga Shtërpca, TV Herz, i ka bërë thirrje politikës kosovare që të veprojë shpejt, për t’i quar proceset përpara, ngase sipas tij, bota nuk ka kohë të pres, duke përfshirë këtu edhe formimin sa më të shpejt të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.
Delawie në këtë intervistë ka përmendur bërjen e 61 votave për formimin e qeverisë, duke lënë të nënkuptohet, se jo me çdo kusht ajo duhet të jetë qeveri e shumicës shqiptare.
“Njerëzit që do të duhej ta formojnë qeverinë e ardhshme janë ata që votuesit i kanë zgjedhur. Këtë vendim duhet ta marrin ata persona që janë zgjedhur nga votuesit, jo unë, jo Quint-i, jo ndonjë i huaj. Qytetarët e Kosovës votuan për deputetët. Komisioni Zgjedhor i ka certifikuar rezultatet, kështu që e dimë se kush do të jenë ata deputetë, e ata duhet të punojnë për ta identifikuar një qeveri, e cila mund t’i arrijë 61 vota në Kuvend”.
“Nuk më takon mua që të them se kush do të duhej të jetë në atë qeveri; nuk i takon asnjë të huaji të thotë se kush do të duhej të jetë në atë qeveri. Iu takon qytetarëve të Kosovës që ta thonë këtë përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur”.
Tutje, sa i përket SHBA’së, Delawie, ka thënë se do të punojnë me secilën qeveri e cila del në pajtim me rregullat dhe ligjet e Kushtetutës së Kosovës, në pajtim me ligjet e Kosovës.
“Me çdo qeveri që është e gatshme për tu përpjekur për të arritur përparim në çështjet me të cilat përballet Kosova sot. Këto janë çështjet që i përmenda më herët: sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe siguria rajonale. Me padurim presim që të punojmë me politikanët, me qeverinë, e cila do të punojë për t’i zgjidhur problemet me të cilat përballen qytetarët e Kosovës sot”.
Në anën tjetër, ambasadori amerikan ka tërhequr vërejtjen se bota nuk do të qëndrojë duke soditur dhe të presë që Kosova të gjejë rrugëzgjedhje.
“Bota po lëviz dhe Kosova duhet të lëvizë, gjithashtu. Ajo është në pikë kthimi sepse mendoj se tash e ka rastin, që ndoshta nuk do ta ketë në të ardhmen, për të marrë vendime që do ta vënë fuqishëm në rrugën evropiane ashtu që të bëhet vend evropian si çdo vend tjetër dhe që qytetarët kosovarë, prej cilido grup që të jenë, t’i gëzojnë të mirat e jetesës në një shtet evropian
“Ekziston rreziku që Kosova të mos i marrë këto vendime të drejta dhe për këtë arsye e kam theksuar çështjen e pikës së kthimit. Është shumë me rëndësi që të gjithë qytetarët e Kosovës dhe politikanët, të cilët janë zgjedhur muajin e kaluar, t’i marrin vendimet e duhura në mënyrë që Kosova të përparojë, në mënyrë që qytetarët e saj t’i gëzojnë të drejtat e plota që ua jep demokracia, si dhe kushtetuta e tyre. Qytetarët mund ta shfrytëzojnë rritjen ekonomike për përmirësimin e jetesës së tyre”, ka thënë Delawie.
I pyetur se sa par ka investuar shteti amerikan për serbët e Kosovës, Delawie, ka thënë se nga 1999, janë investuar rreth 1.8 miliardë dollarë, por ai nuk e di saktë se sa nga kjo shumë u kanë shkuar serbëve, ngase sipas tij, nuk mbajnë shënime të investimeve sipas grupeve etnike.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...