“Rasti ka ndodhur në një rrugë të pjerrët, ku ky ka dalë prej kabinës për kryerjen e nevojave fiziologjike, por pa lejen e punëdhënësit dhe nëse ka shkuar me pi diçka apo me ndejt, me humbë kohë, nuk ka pasur arsye, pse ka shkuar”.
Kjo është një pjesë e përfoljes së raportit për vdekjen e punëtorit Tafil Tafallari, që gjeti vdekjen një muaj më parë gjatë punës në autostradën Prishtinë – Shkup, “Arbën Xhaferi”, saktësisht në fshatin Kovaçec të Kaçanikut.
Vdekja e 41-vjeçarit më 28 tetor, ngjalli një alarm serioz për rastet e vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, pasi ky ishte punëtori i dytë brenda punishtes së “Bechtel&Enka”-s që gjeti vdekjen në muajin tetor gjatë punës në autostradën “Arbën Xhaferi”.
E, derisa në ditët pas ngjarjes u dhanë disa versione të përafërta se si kishte ndodhur rasti me fatalitet, tash pas një muaji Inspektorati i Punës të Kosovës ka versionin final të saj. Inspektorati i Punës ka raportin zyrtar, mirëpo ende nuk ka marrë ndonjë vendim në lidhje me ngjarjen.
Këtë raport për Ndërtimi.info e ka interpretuar zëvendëskryeinspektori i Punës për Siguri në Punë, Agim Millaku.
Raporti i Inspektoratit të Punës i hartuar më 3 nëntor, gjen se organizimi i punës nuk ka qenë në nivelin e duhur e i përcjellë mirë dhe punëdhënësi e ka vënë punëtorin në rrezik jete.
Sipas këtij raporti, viktima Tafil Tafallari është gjetur 450 metra larg vendit të tij të punës, por që prapë ka qenë brenda territorit të vendpunishtes.
Millaku ka shpjeguar si ka ndodhur rasti sipas deklaratave të dëshmitarëve, të cilat janë pjesë e raportit final. Edhe pse ditën e aksidentit dhe orëve më pas është thënë nga Inspektorati i Punës që nuk ka pasur dëshmitarë, raporton Ndërtimi.info.
“Rasti ka ndodhur në një rrugë të pjerrët, ku ky ka dalë prej kabinës për kryerjen e nevojave fiziologjike, por pa lejen e punëdhënësit dhe nëse ka shkuar me pi diçka apo me ndejt, me humbë kohë, nuk ka pasur arsye, pse ka shkuar. Hajde ky këtu ka dashtë të shkoj, por është gjetur lart, jo në oborrin para kantinave që ky ka qenë furnizues me ujë të pijshëm për këto dy kantinat me autobot. Rruga ka qenë shumë e rrëshqitshme sepse ka ra shi një natë më herët dhe përbërja e dheut ka qenë si shampon. Ky për mos me u ndal, mos me mund të dal sepse pjerrtësia ka qenë bukur e madhe, 5 për qind diku dhe i ka dhënë gaz pa e parë se lart është punëtori i shtrirë në rrugë. Punëtori ka qenë i rrëzuar në rrugë, me kokë teposhtë. Arsyeja nuk dihet, a ka rrëshqit apo çfarë ka ndodhur, por dihet që ka qenë i shtrirë më këmbë lart dhe kokë poshtë. Ky në kthesën 90 shkallë i ka dhënë gaz që të mund të dal në krye të kodrës, duke mos e parë që është i shtrirë aty dhe e ka shkel, jo me rrotë të para por të pasme të kamionit”, ka treguar ai.
Sipas gjetjeve në këtij raporti, Millaku ka theksuar se viktima është gjetur diku 7 metra mbi kantinë, jashtë territorit ku kanë qenë kantina dhe toaletet. I dyti i Inspektoratit të Punës ka nënvizuar se problemi qëndron në atë se viktima është larguar nga vendi i tij i punës pa leje dhe jo në kohë të pauzës.
“Sipas raportit viktima nuk ka pasur urdhëresë me shkrim që të lëshojë vendin e punës, nuk ka pasur kërkesë që po largohet nga aty dhe dihet që në atë ditë për shkak që nuk kanë mundur të furnizohen me material, i cili është dashtë me u ngjesh sepse punëtori ka punuar me cilindër që e ngjesh materialin në rrugë (sq. “valak”), nuk ka pasur punë atë ditë, ka qenë më i lirë se në ditët e tjera dhe për fat të keq ka shkuar atje. Problemi është që në kohë pune edhe pse ekziston kantina nuk mund të shkosh të shërbehesh sa herë të teket, pa lejen e punëdhënësit. Nëse ka pasur nevojë për me pi ujë apo me ble diçka është dashur të lajmërojë, e jo të shkojë larg 450 metra pa leje. Kjo është çka është gjetur për momentin”, ka vazhduar interpretimin e raportit Millaku
Sipas Agim Millakut, në bazë të raportit nuk do të thotë se kompania “Bechtel & Enka” do të dalë e pafajshme, pasi sipas gjetjeve ajo ka shkelë disa dispozita ligjore.
“Punëdhënësi me një pa përkujdesje e ka vënë të punësuarin në rrezik për jetë- fatalitet me çka siguria e të punësuarit është bërë në kundërshtim me dispozitat e nënti 6 të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë”, thekson ai.
Përveç këtij neni, sipas raportit të Inspektoratit të Punë, kompania “Bechtel & Enka” po del të ketë bërë edhe disa shkelje të tjera të dispozitave ligjore, gjithmonë sipas Millakut.
“Nga siguria dhe shëndeti në punë punëdhënësi është përgjegjës për mos marrje të këtyre veprimeve: nuk ka dhënë udhëzim për punë gjatë orarit të punës se a mundet të punëtori të largohet apo jo nga vendi i punës, punëdhënësi ka organizuar trajnime por të pamjaftueshme- nuk ka qenë mjaftueshëm i trajnuar sepse po të ishte ai nuk do ta kishte krye këtë veprim me shkua me krye nevojat e mos me u kthye me vazhdua më tutje; nuk ka prezantuar asnjë provë urdhri për punë tjera që e ka lëshuar vendin e punës dhe nuk dihet arsyeja. Për shkak të mos organizimit të mirë të punës gjatë orarit të punës i aksidentuari ka lëvizur pa mbikëqyrjen e punëdhënësit”, ka cituar nga raporti Millaku.
E, në lidhje me këto shkelje të evidentuara dhe me raportin në tërësi “Bechtel & Enka” ka të drejtë t’i dorëzojë vërejtjet që i ka. Pas kësaj do t’i hapej rrugë edhe vendimit përfundimtar të Inspektoratit të Punës.
Mirëpo, edhe pse raporti është hartuar para tre javësh dhe sipas Millakut i njëjti i është nisur kompanisë me postë, kjo e fundit ende nuk ka dorëzuar vërejtjet.
E, sipas afatit ligjor Inspektorati i Punës duhet që të marrë një vendim në aftin kohor prej 30 ditësh nga hartimi i raportit, që i bie se në fillim të muajit dhjetor do të ketë vendim në lidhje me vdekjen e Tafil Tafallarit.
Por, me këtë vendim nuk përfundon gjithçka. Pas tij i gjithë raporti dhe vendimi i bashkëngjiten kallëzimit penal që bëhet prej Policisë së Kosovës. Kompanisë i është nisur i njëjti.
Mes shumë mungesash, Foda zgjedh 11-shen ndaj Lituanisë
Osmani e ambasadorët diskutojnë për hapat e integrimit të Ko...
“Edhe katër investime të mëdha në stadiumet e futbollit” – Ç...
Musliu: Faton Peci e Fitore Pacolli bashkëpunëtorë në manipu...
Zyrtari i LDK-së thotë se Fitore Pacolli ia dha 100 mijë eur...
David: Barcelona ka qenë ekipi me të cilin jam rritur, ëndrr...