Del një deklaratë e vitit 2014 ku Kurti argumentonte pro krijimit të qeverisë nga partitë jo fituese

11:58 | 20 Maj 2020
Arbresh.info

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti argumentonte ndryshe sa i përket mundësisë së formimit të qeverisë së re nga partitë jo fituese, gjashtë vite më parë, atëherë kur PDK’ja nuk po arrinte t’i siguronte numrat që i duhen ani pse kishte fituar zgjedhjet. Shefi i Vetëvendosjes, ndryshe nga sot, insistonte që shkuarja në zgjedhje është joligjore e juridikisht e pamundur, atëherë kur ekziston mundësia që shumica tjetër parlamentare të votojë kryeparlamentarin e një qeveri të re, pa fituesin, raporton Gazeta Express.

Një video e vitit 2014-të, atëherë kur partitë që nuk kishin fituar zgjedhjet po tentonin që të bënin shumicën e të formonin qeverinë, e demanton kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, e qëndrimin që i njëjti e mbron tani, për shkuarje në zgjedhje të reja, pas mocionit të mosbesimit.

Pasi që PDK’ja, gjashtë vite më parë nuk po arrinte t’i bënte numrat për ta votuar qeverinë, partitë tjera po bisedonin për një qeveri të krijuar pa partinë e parë të dalë nga zgjedhjet.

Aktgjykimi i vitit 2014-të i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar se shumica parlamentare mandatohet nga Presidenti për të krijuar qeverinë, por nëse nuk arrin të sigurojë numrat, atëherë presidenti nominon kandidatin tjetër, sipas procedurës së njëjtë, i cili më pas ka në dispozicion 10 ditë për ta bërë qeverinë. Nëse kjo nuk arrihet, sipas aktgjykimit, atëherë Presidenti shpallë zgjedhjet. Por, ky aktgjykim tash është bërë subjekt interpretimesh dhe mospajtimesh.

Pas mocionit të mosbesimit, ku Kosova gjendet me një qeveri në detyrë, e presidenti ka dekretuar Avdullah Hotin si mandatar, vendim që po qëndron pezull deri të vendos Kushtetuesja, partia e dalë e para nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, është duke insistuar që të shkohet përsëri në zgjedhje të jashtëzakonshme, e të mos i jepet mundësi partive tjera që krijojnë shumicën për të formuar një qeveri të re.

Mirëpo, me të njëjtin qëndrim. pro zgjedhjeve nëse partia e parë s’arrin të krijojë qeverinë, Kurti nuk kishte qenë edhe vite më parë.

I njëjti, atëherë kur PDK’ja s’po arrinte të krijonte qeverinë, thoshte se kërkesa e tyre për zgjedhje s’është legale, ligjërisht e juridikisht e pamundur.

Kurti thoshte se LVV’ja është e gatshme edhe pse s’i kishte fituar zgjedhjet, që të votojë kryeparlamentarin e të formojë qeverinë e re.

“Sa i përket zgjedhjeve të reja që janë paralajmëruar shpesh herë nga partia në pushtet ato legalisht, ligjërisht e juridikisht nuk janë të mundshme por në të njëjtin kohë shprehim qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje që jemi të interesuar që të konstituojmë institucionet e Legjislaturës së pestë ta zgjedhim kryeparlamentarin, e pastaj të kalojmë te gjëja kryesore që është formimi i Qeverisë se re”, kishte thënë ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme