Ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në shqyrtimin fillestar të së hënës në Gjykatën Themelore të Gjilanit.
Pas leximit të aktakuzës, nga ana e prokurorit Shaban Spahiu, ish-kreu i Gjilanit, ka deklaruar se nuk e ndien veten fajtor për akuzën që i vihet në barrë nga Prokuroria Themelore në Gjilan.
Pasi që i pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë, kryetari i trupit gjykues, Naser Maliqi ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se në afat prej 25 ditësh kanë të drejtë t’i paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me provat dhe aktakuzën.
Ndryshe, shqyrtimi fillestar në këtë rast, ishte paraparë të mbahej më 24 tetor të këtij viti, por ishte shtyrë me kërkesën e të akuzuarit Mustafa, pasi kishte deklaruar se ende nuk e kishte marrë aktakuzën nga prokuroria dhe ende nuk kishte angazhuar avokat.
Ish-kreu i Gjilanit, Qemajl Mustafa, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, akuzohet se duke qenë në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjilanit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, apo shkaktimin e dëmit personit tjetër, ka tejkaluar kompetencat e tij.
Sipas aktakuzës, Mustafa pretendohet se veprën penale e ka kryer në atë mënyrë që më 23 maj 2012, si kryetar i komunës, në emër të autoritetit kontraktues publik të ish-Kompanisë Rajonale për Mbeturina (KRM) “Higjiena”, në Gjilan, ka nënshkruar marrëveshjen e partneritetit publiko-privat, për themelimin e ndërmarrjes së përbashkët aksionare “Eco Higjiena”, me autoritetin kontraktues privat Christian Moser – “Moser Group”, përkatësisht i degës së saj “ECO Vision”, në Gjilan.
Këtë veprim, ish-kryetari i Gjilanit e kishte bërë mbi bashkimin e mjeteve dhe kapitalit në proporcion 51 % për partneritetin privat dhe 49 % për atë publik, të cilin veprim e kishte bazuar në Ligjin nr.03/L-090 mbi Partneritetin Publiko – Privat.
Mirëpo, sipas aktit aktakuzës, Mustafa, këtë e kishte bërë në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, sepse ligji i lartcekur ishte shfuqizuar më 21 tetor të vitit 2011, me nxjerrjen e Ligjit nr.04/L-045, mbi Partneritetin Publiko Privat.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri si autoritet kontraktues nuk kishte vepruar konform dispozitave ligjore dhe konditave të marrëveshjes mbi partneritetin publiko – privat, përkatësisht për të kërkuar nga autoriteti kontraktues i partneritetit privat përmbushjen e obligimeve që ka pasur me marrëveshjen për realizimin e investimeve të zotuara.
Tutje, në aktakuzë thuhet se nuk është përmbushur marrëveshja e investimeve të zotuara për shumën në lartësi prej 1,500,000,00 euro për periudhën gjatë viteve 2012, 2013 dhe 2014, por ka realizuar vetëm investimet në shumë prej 542,243,45 euro, ndërsa nuk ka përmbushur shumën e investimeve prej 957,756,55 euro, gjendje kjo që ka ndikuar negativisht në profitabilitetin e subjektit përkatës.
Me këtë rast, i pandehuri Mustafa duke mos ndërmarrë masat e parapara me ligj si dhe duke mos shfrytëzuar as të drejtën sipas nenit 16 të kësaj marrëveshje për ndërprerjen e partneritetit për shkak të shkeljeve të detyrimeve nga partneriteti tjetër privat si dhe duke neglizhuar të paraqes raportet vjetore rreth këtij partneriteti publiko-priva, i ka shkaktuar dëm material partneritetit publik, përkatësisht KRM “Higjiena”.
Ndryshe, ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa akuzohet edhe në një rast tjetër, ku së bashku me 38 persona të tjerë, ngarkohen me veprat penale “krimi i organizuar”, “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”./Betimi për Drejtësi/
”Karta e Romës”: ”Albania” fjala më e kërkuar e medias itali...
Mark Zuckerberg konfirmoi: Më shumë se 100 milionë përdorues...
Për çfarë e vë në siklet Sara-Drilonin?
Kosova dhe Shqipëria mbledhje të përbashkët Kuvendi, publiko...
Rina Balaj thumbon Butrint Imerin: Është i mbivlerësuar
Gresa e imiton Drilonin se si e përqafoi Saren për herë të p...