Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Milan Mihajloviq është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për përfshirje në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.
“Jo”, tha Mihajloviq kur u pyet se a ndihet fajtor. Ai akuzohet për katër vepra penale.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Mihajloviq e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Burim Çerkini, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Më pas, gjykatësi i rastit Lutfi Shala e njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij, avokati Miodrag Brkljaq se brenda 30 ditësh mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Ndryshe, seanca e paraparë për 29 shkurt 2024, kishte dështuar për shkak se avokati Brkljaq nuk ishte pajisur me shkresa të lëndës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 27 dhjetor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Mihajloviq lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, të cilin e ngarkon me katër vepra penale.
Sipas aktakuzës, Mihajloviq akuzohet për pjesëmarrje në grupin kriminal të organizuar, pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare, kanosje dhe për falsifikim të dokumenteve.
Akuza thotë se i njëjti, nga viti 2014 e tutje, si anëtar i grupit të organizuar dhe i strukturuar kriminal së bashku me Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, duke vepruar nën udhëheqjen e Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, me role të caktuara dhe në bashkëpunim ndërmjet vete kanë vepruar për një periudhë të gjatë kohore, ku secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllime të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi ka ardhur deri tek vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Dispozitivi i parë i akuzës kundër Mihajloviq thotë se i njëjti më 2 mars 2019, në Mitrovicë, deri sa ishte duke u zhvilluar procedura penale për disa nga të akuzuarit, me qëllim të nxitjes së dëshmitarit B1 për të refuzuar dhënien e dëshmisë në procedurë paraprake, e që paraprakisht kishte dijeni se është dëshmitar anonim në këtë proces, ku gjatë bisedës në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit i ka thënë “Mos u bë i marrë, mos më lidh mu me këtë punë”.
Ndërsa, kur i kishte thënë se “ti e din shumë mirë se kush po i kryen këto vrasje, këto krime”, i pandehuri Mihajloviq e ka kanosur me fjalët “Mos i përmend këto gjëra, se për këto të shkon edhe koka sepse pas këtyre gjërave qëndrojnë forcat e fuqishme shtetërore”.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283 paragrafi1 lidhur me veprën penale “Pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 394 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 lidhur me paragrafët 4 dhe 5 të KPRK-së.
Ndërkaq, dispozitivi i dytë i akuzës thotë se Mihajloviq më 25 tetor 2021, përmes telefonit e ka kanosur seriozisht personin zyrtar, hetuesin e Inspektoriatit Policor të Kosovës (IPK), tani të dëmtuarin Zhivorad Jovanoviq, në atë mënyrë që Mihajloviq përkundër që kishte urdhërarrest aktiv, ishte intervistuar nga Policia e Kosovës në Mitrovicë dhe ishte liruar dhe për këtë arsye IPK kishte filluar hetimet ndaj zyrtarëve policorë të cilët e kanë liruar të njëjtin.
Tutje, në dosje thuhet se me të kuptuar se IPK ka filluar hetimet ndaj policëve, i pandehuri Mihajloviq përmes telefonit e kërcënon me fjalët “E kam siguruar numrin e telefonit tuaj, e di se ku jeton dhe i di të gjitha lëvizjet e tua, kush je ti që më ndjek mua, keni me pa se si do të përfundoni”, me ç’rast ka shkaktuar frikë tek zyrtari hetues i IPK-së.
Me këto veprime, Mihajloviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje”, nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Tutje, sipas dispozitivit të tretë të kësaj akuze, Mihajloviq akuzohet se më 19 tetor 2022, në Mitrovicë, derisa njësitë policore ishin duke kryer arrestimin e tij sipas urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata, i njëjti prezantohet se nuk është personi Milan Mihajloviq, por që është një tjetër person me emrin Zvezdan Andrejiq.
Mirëpo, gjatë kontrollit të njëjtit i është gjetur edhe letërnjoftimi i Republikës së Serbisë, i falsifikuar në emër të Zvezdan Andrejiq por me foto të tij, të cilin e kishte përdoruar me qëllim të mos arrestimit të tij.
E me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Ndryshe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u zhvilluar një proces gjyqësor, ku për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?
FBI zbulon një përpjekje të gjerë për spiunazh nga hakerat k...