Të akuzuarit Goran Jevtiç, Ivan Gjorgjeviç, Boki Gjorgjeviç dhe Srgjan Dimitrijeviq nuk e pranuar fajësinë se në tenderin për rindërtimin dhe përmirësimin e ndriçimit rrugor në Komunën Ranillugut të vitit 2018, nuk iu përmbajën paramasës dhe parallogarisë së këtij tenderi, duke e dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë mbi 8 mijë euro.
Këtë deklarim, të akuzuarit e bënë të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi per Drejtësi“.
Pas leximit të shpresave të lëndës, seanca gjyqësore ka vazhduar me mbrojtjen e të akuzuarit Goran Jevtiç, i cili nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohet.
I njëjti tha se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna në polici dhe në prokurori.
“Unë në Komunën e Ranillugut jam i punësuar si elektricist, ku në atë kohë jam emëruar si mbikëqyrës i projektit për ndriçimin rrugor, sipas projektit që ka të bëjë me montimin e numrit të caktuar të dritave në fshatrat e Ranillugut”, tha i akuzuari Jevtiç.
Po ashtu, ai shtoi se me propozim të kryetarit të Komunës dhe me kërkesë të vendasve në dy fshatra, mjetet që nuk kishin mundur të shpenzohen, ishin shpenzuar në dy fshatra, ku në këto nuk kishte qenë i paraparë ndriçimi, mirëpo pastaj ishte ndërtuar ndriçimi i plotë.
I akuzuari Jevtiç tha që nuk kishte pasur asnjë keqpërdorim në tender, nga kjo punë nuk kishte pasur asnjë përfitim.
Seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e të akuzuarit Ivan Gjorgjeviç, i cili nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohet.
Ai tha se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna në polici dhe në prokurori.
Gjoergjeviç deklaroi se gjatë vitit 2018 kishte qenë anëtar i komisionit për pranimin teknik të ndriçimit teknik të fshatrave.
I njëjti tha se nuk kishte pasur asnjë qëllim apo motiv për të keqpërdorur diçka, e po ashtu tha se nuk kishte pasur asnjë kompensim nga komuna për punën shtesë.
Tutje, seanca gjyqësore ka vazhduar me mbrojtjen e të akuzuarit Boki Gjorgjeviç, i cili nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohet nga prokuroria.
I njëjti tha se në vitin 2018 kishte qenë anëtar i komisionit për pranim teknik të ndriçimit në disa fshatra të Komunës së Ranillugut.“Ne kemi dalë në teren dhe vetëm në mënyrë vizuale e kemi bërë pranimin teknik”, tha Gjorgjeviç.
I njëjti tha se nuk kishte pasur asnjë përfitim nga kjo punë, dhe nuk e di nëse ishte dëmtuar ndokush nga kjo punë.
As i akuzuarit Srgjan Dimitrijeviq nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.
I njëjti tha se gjatë vitit 2018 kishte qenë aëntar i komisionit për pranimin teknik të ndriçimit publik në disa fshatra të Komunës së Ranillugut, ku si anëtar të komisionit i kishte caktuar ish-drejtori i kadastrit pa konsultim me ta.
I akuzuari Dimitrijeviq tha se në terren kur kishin dalë vetëm vizualisht, e kishin definuar punën.
I njëjti tha se nga kjo punë nuk kishte përfituar asgjë dhe se me këtë projekt nuk ishte dëmtuar buxheti i komunës.
Seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Vladimir Gjorgjeviç, i cili tha se gjatë vitit 2018 kishte punuar në prokurim në Komunën e Ranillugut.
I njëjti tha se e kishte marrë raportin nga komisioni për pranim, se ishte kryer puna dhe se gjithçka ishte zhvillu sipas procedurës dhe ishte kryer pagesa për operatorin ekonomik dhe për këtë ekziston një raport nga organi mbikëqyrës.
“Sipas meje nuk është dëmtuar komuna për shumën që është thënë në aktakuzë, sepse unë e kam marrë raportin që puna është kryer”, tha dëshmitari Gjergjeviç.
Dëshmitari theksoii se organ mbikëqyrës për ekzekutimin e punimeve kishte qenë Goran Jevtiq.Seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Ramadan Ramadani, zyrtar policor, i cili tha se mbetet në tërësi pranë raportit të dorëzuar në polici.
Dëshmitari Ramadani tha se gjatë kontrollimit të paramsave kishin parë se diku rreth 11 fshatra gjatë implementimit të kontratës, menaxheri i kontratës kishte dështuar t’i vendoste pozicionet në kushtet e parapara.
“Ne kur i kemi llogaritë këto pozicione, na japin një vlerë rreth 8 mijë e 518 euro”, tha dëshmitari Ramadani.
Dëshmitari Ramadani tha se në secilin fshat kishte pasur ngecje me 6 pozicione që nuk janë kryer në 11 fshatra të gjitha pozicione të njëjta, ndërsa për punën shtesë që të akuzuarit kishin thënë se kishin punuar, nuk ka të dokumentuar me dokumente.
Dëshmitari Ramadani shtoi se nuk e dinte se kush e ka caktuar komision për pranim dhe se a ka pasur kompetencë apo jo.
“Kemi pasur informacione nga terreni që nuk janë ndërtuar pozicionet, e po ashtu të akuzuarit në intervistë kanë deklaruar që nuk janë rregulluar ashtu siç kanë qenë të parapara, po kemi investuar diku tjetër”, tha dëshmitari Ramadani.
Seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e ekspertit financiar Ibrahim Tahiri, i cili tha se mbetet pranë ekspertizës së kryer me shkrim më 14 shtator 2021.
Eksperti Tahiri deklaroi se ekspertizën e kishte mbështetur tërësisht në detyrat e dhëna në aktvendim të Prokurorisë Themelore në Gjilan.
“Me ekspertizë është konstatuar se gjatë procedurës së kryerjes së punëve lidhur me tenderin ka pasur shkelje të konsiderueshme të procedurave që nga hapja e tenderit e deri në përfundimin e punës”, tha eksperti Tahiri.
Eksperti Tahiri tha se gjatë implementimit të projektit nuk janë realizuar të gjitha punët të cilat janë paraparë në paramasën e projektit, shuma e këtyre pozicioneve të pakryera arrin vlerën e 8 mijë e 307 euro.“Të gjitha konstatimet në ekspertizë nuk janë kundërshtuar as nga vet menaxheri i projektit”, tha eksperti Tahiri.
Eksperti Tahiri shtoi se me aktvendim të prokurorisë ishte caktuar si ekspert financiar dhe nuk ka licencë për ekspert të prokurimit.Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Maliqi seancën e radhës e ka caktuar më 3 qershor 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës, së ngritur më 28 tetor 2021, nga Prokuroria Themelore e Gjilanit që nga muaji janar i vitit 2018, në Ranillug, të pandehurit e lartshënuar, si persona zyrtarë në Komunën e Ranillugut, me dashje kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në tenderin me titull “Rindërtimi dhe përmirësimi i ndriçimit rrugor në komunën Ranillukut për vitin 2018”, të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrimet që dalin nga vendimi, duke mos iu përmbajtur përmasës dhe parallogarisë së këtij tenderi.Me mosveprimet e tyre, sipas aktakuzës ata kanë dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 8 mijë e 307 euro, në favor të një operatori ekonomik në Prishtinë, duke i pranuar gjashtë pozicione të pakryera si pozicione të kryera, të cilat vizualisht shihen në disa fshatra të Komunës së Ranillugut, ku në secilin fshat numrat e pozicioneve ndryshojnë por përshkrimi i punëve është i njëjtë, e pas pranimit teknik komuna e Ranilluhut i paguan si pozicione të kryera.
Me këto veprime, të njëjtit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 dhe 2.2 lidhur me paragrafin 1 të nenit 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Moti sot: Diell dhe vranësira, temperaturat deri në 9 gradë ...
Ushtria amerikane godet objektivat e Houthit në Jemen
Presidenti i Federatës Franceze komenton mungesën e Mbappes:...
Izraeli lëshon një paralajmërim të ri evakuimi për Bejrutin ...
Ganimete Musliu: Më 9 shkurt Qeveria Kurti do të shkojë në s...
Plan-atentati ndaj presidentit të Malit të Zi ndoshta dezinf...