Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të akuzuarit Haxhi Ujkani, Qemail Bajrami, Sabit Islami dhe Xhevdet Tahiri, janë deklaruar të pafajshëm për akuzën se e kanë keqpërdorë detyrën lidhur me konkursin për vozitës të menaxherit të Ndërmarrjes Publike “Trepça”. I akuzuari Tahiri u deklarua i pafajshëm edhe për “Konflikt interesi”.
Sipas aktakuzës, Ujkani në cilësinë e kryetarit të komisionit, Bajrami dhe Islami në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e një punonjësi në pozitën “Vozitës i menaxherit të ndërmarrjes Trepça Sh.A”, dhe Tahiri në cilësinë e ushtruesit të detyrës së menaxherit të kësaj ndërmarrje, ngarkohen se kanë keqpërdorur detyrën duke pranuar në këtë pozitë Agron Tahirin (vëllain e të akuzuarit Tahiri), në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Deklarimin rreth fajësisë, katër të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fetije Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Xhevdet Tahiri deklaroi se tani është në pozitën e drejtorit të Departamentit të Shërbimit Teknik, Gjeodezisë dhe Përgatitjes minerale në Ndërmarrjen “Trepça”.
Paraprakisht, të akuzuarve nga gjykatësi i rastit Fatos Sejdijaj iu lexuan të drejtat e tyre, pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar.
Pasi të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, gjykatësi Sejdijaj i njoftoi se në afat prej 30 ditësh, kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave të caktuara në aktakuzë apo të paraqesin kërkesë për hudhjen e aktakuzës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 2 prill 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Haxhi Ujkanit, Qemail Bajramit, Sabit Islamit dhe Xhevdet Tahirit.
Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, të akuzuarit Haxhi Ujkani, Qemail Bajrami dhe Sabit Islami akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Ndërmarrjen “Trepça” Sh.A, më 27 mars 2024, me dashje, duke shfrytëzuar pozitën e tyre dhe duke tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim që Agron Tahiri të përfitojë dobi, nuk i kanë përfillur dispozitat ligjore të nenit 8, paragrafi 2 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, dhe nenet 6, par.5, nënpar. 5.1, nenin 9, 10 dhe nenin 11 të Udhëzimit Administrativ Nr.07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Haxhi Ujkani, në cilësinë e kryetarit të komisionit dhe të akuzuarit Qemail Bajrami e Sabit Islami, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e një punonjësi në pozitën e “vozitësit të menaxherit të ndërmarrjes Trepça Sh.A” sipas vendimit Nr.782, kanë përpiluar dhe nënshkuar raportin Nr.792 për propozimin e kandidatit të vetëm, Agron Tahiri në pozitën e lartcekur, edhe pse kanë qenë në dijeni se në rastin konkret duhet të përsëritet konkursi pasi nuk kanë qenë së paku tre kandidatë që i plotësojnë kushtet e parapara me konkurs dhe se nuk është mbajtur testi me shkrim, as intervista me gojë.
Me këto veprime, të akuzuarit Haxhi Ujkani, Qemail Bajrami dhe Sabit Islami ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Xhevdet Tahiri, në mars dhe prill të vitit 2019, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së menaxherit të Ndërmarrjes “Trepça” Sh.A., ngakohet se me dashje nuk i ka përfillur dispozitat ligjore të nenit 8, paragrafi 2 të Ligjit Nr.03/L-212 të Punës, dhe nenin 5, par.1, nënpar.1.7, nenin 6, par.5 nënpar.5.1, nenin 9, nenin 10 dhe nenin 11 të Udhëzimit Administrativ Nr.07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik, duke i tejkaluar kompetencat e tij, dhe duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që të përfitojë dobi Agron Tahiri.
Aty thuhet se konkursi i publikuar më 15 mars 2019 në portalin “In Fokus” për pozitën “vozitës i menaxherit të Trepçës” edhe pse është dashur të jetë i hapur për 15 ditë nga dita e publikimit, ka mbetur i hapur vetëm 8 ditë nga dita e publikimit.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Xhevdet Jashari edhe përkundër kësaj, më 27 mars 2019 ka marrë vendimin nr. 782 për formimin e komisionit për pranim, dhe më 29 mars 2019 vendimin nr. 809 për pranimin e Agron Tahirit në punë, dhe më 8 prill 2019 e nënshkruan kontratën e punës me të punësuarin Tahiri, edhe pse ka qenë në dijeni se konkursi duhet të përsëritet pasi nuk kanë qenë tre kandidatë dhe pasi në raportin nr.792 është theksuar se ka qenë vetëm një kandidat, e po ashtu ka qenë në dijeni që nuk është mbajtur testi me shkrim, as intervista me gojë.
Me këto veprime, sipas aktakuzës Tahiri ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndërsa, në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Xhevdet Tahiri, në cilësinë e u.d menaxherit të “Trepçës”, akuzohet se me dashje nuk i ka përfillë dispozitat ligjore të nenit 5, par.8 dhe nenin 9, par.1, nënparagrafi 1.8 dhe 1.11 të Ligjit nr.06/L-011 për parandalimin e konflikt interesit në ushtrimin e funksionit publik, duke marrë pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes së tij ka interes financiar, dhe duke marrë vendim për pranim e vëllait të tij Agron Tahiri në marrëdhënie pune dhe ka nënshkruar kontratën e punës për të.
Me këto veprime, Tahiri akuzohet se ka kryer veprën penale “Konflikt interesi” nga neni 424, par. 1 të KPRK-së.
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...