Google ADS

Deklarohen sërish të pafajshëm katër të akuzuarit për sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në Mitrovicë

19:21 | 21 Gusht 2024
E.G

Të akuzuarit Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksander Vlajiq dhe Miomir Vakiq janë deklaruar sërish të pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut.

Paraprakisht, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, u lexua aktakuza nga prokurori special Bekim Kodraliu.

Pasi që të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, seanca vijoi me dhënien e fjalës hyrëse, me ç’rast prokuror Kodraliu tha se nga provat materiale pa mëdyshje do të vërtetohen veprimet e të akuzuarve.

Prokurori Kodraliu tha se sidomos nga raportet policore dhe ato të Agjencisë Forenzike të Kosovës, si dhe nga video-incizimet do të dëshmohet kryerja e veprave penale nga të akuzuarit.

Ai tha se veprimet e ndërmarra nga të akuzuarit kanë pas për qëllim shkatërrimin e strukturave themelore, politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Tutje, fjalën hyrëse e paraqiti mbrojtësi i të akuzuarit Milenkviq, avokati Miodrag Berkljaq, i cili tha ajo çka thuhet në aktakuzë është një turp për Prokurorinë Speciale dhe se sipas tij, raportet policore e kallëzimi penal nuk ka mundësi të shërbejnë si provë për ngritje të akuzës.

Fjalën hyrëse e dha edhe mbrojtësi i të akuzuarit Vlajiq, avokati Millosh Deleviq, me ç’rast të njëjtën e dorëzoi me shkrim dhe shtoi se provat e propozuara në aktakuzë nuk kanë lidhje me rastin.

Ai gjithashtu propozoi që të dëgjohen disa dëshmitar por se kërkoi që të njëjtit të dëgjohet nën masat mbrojtëse pasi që sipas tij, ata ndjen të rrezikuar.

Ndërkaq, gjykata aprovoi propozimin e prokurori Kodraliu për dëgjimin e dëshmitarëve Bujar Hajdari dhe Nuhi Fejza si dhe propozimi i avokatit Berkljaq që të dëgjohen dëshmitarët Daniela Sokoviq, Sakica Saviq dhe Bratislav Periq.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Pantiq, avokati Ljubomir Pantoviq, gjatë fjalës hyrëse tha se aktakuza nuk është e bazuar në prova materiale.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Vakiq, avokati Dejan Vasiq tha se në këtë shqyrtim gjyqësorë ndodhën për arsye se të akuzuarit përmes telefonave mobil kanë folur për “dardha dhe kaça”.

Në fund të kësaj seance, mbrojtësi i dytë i të akuzuarit Milenkoviq, avokati Predrag Millkoviq kërkoi nga gjykata ndërprerjen e paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij, duke propozuar që kjo masë të zëvendësohen me masën e dorëzanisë në vlerën prej 70 mijë euro.

Ky propozim u kundërshtua prokurori Kodraliu me arsyetimin se i pandehuri Milenkoviq gjendet nën hetime edhe për vepra tjera penale dhe se ka bashkëpunuar me persona që tashmë gjende në arrati.

Lidhur me këtë propozim gjykatësi i rastit, Valon Kurtaj tha se do të vendose me aktvendim të veçantë pasi që mbrojtja ka paraqitur rrethana të reja dhe se varësisht nga vendimi i marrë palët do të kenë edhe të drejtën e ankesës.

Seanca fillestar për këtë rast ishte mbajtur më 30 janar 2024, me ç’rast të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, seanca fillestare e caktuar më 12 janar 2024, ishte shtyrë me propozim të mbrojtjes pasi që të njëjtit nuk ishin pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

Në aktakuzën të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” thuhet se Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq dhe Vakiq më 6 dhjetor 2022, në ora 14:39, kishin kryer sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, duke hedhur granata dore dhe shok bomba.

Më 13 dhjetor 2023 PSRK kishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës për Pantiq dhe ty të tjerët.

Më 12 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq, ndërsa më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe, e që u pasua me vendosjen e barrikadave në pika kufitare.

Të ngjashme