Është mbajtur seanca gjyqësore në rastin ku Mustafë Hoxha, Fatlum Hoxha, Liridon Halilaj dhe Shpend Podrimçaku akuzohen për disa vepra penale të grabitjes në lokalet e lojërave të fatit.
Pjesë e këtij procesi ishte edhe Fatlum Hoxha, por për të u veçua procedura ngase ai gjendet në arrati dhe tani për tani është i paarritshëm për organet e drejtësisë.
Ky shqyrtim gjyqësor është rihapur meqenëse më parë lënda ka qenë tek gjykatësja Nora Bllaca- Dula, e cila tanimë është avancuar në Gjykatën e Apelit dhe rasti ka kaluar te gjykatësja Naime Krasniqi- Jashanica.
Në këtë proces gjyqësor, Mustafë Hoxha, i cili aktualisht është në vuajtje të dënimit që disa muaj për një çështje tjetër në qendrën e paraburgimit të Pejës, akuzohet për 10 pika të veprës penale të grabitjes, 8 nga to lidhur me grabitjen në lokale të ndryshme të lojërave të fatit, derisa dy të tjera në barnatore të ndryshme.
Aktakuza specifikon dhjetë pikat e dispozitivit se ku pretendohet të kenë kryer grabitjen të akuzuarit, ku pjesë e të dhjetave është Mustafë Hoxha.
Pika e parë e aktakuzës ngarkon Mustafë Hoxhën se së bashku me Gazmend Hoxhën dhe personin NN kanë kryer veprën penale të grabitjes më 4 mars 2017 në “Apex Game” në Fushë-Kosovë, ku sipas Prokurorisë Gazmend Hoxha nën kërcënimin e armës i ka marrë nga një i dëmtuar rreth 4.000 euro.
Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Mustafën dhe Gazmend Hoxhën se më 9 mars 2014 se në “Play 4 Win” në Qendrën Tregtare në Drenas kanë grabitur 1.915 euro, dy telefona celularë si dhe një të tipit Samsung Galaxy S3 të cilin e kanë thyer.
Pika e tretë, ngarkon Mustafën së bashku me Fatlum Hoxhën dhe Liridon Halilajn se më 17 maj 2014 grabitën bastoren “Arena Sport” në fshatin Komoran, ku pretendohet nga një i dëmtuar të kenë marrë 1.400 euro të pazarit ditor dhe 130 euro të holla të tij personale.
Së katërti, aktakuza ngarkon Mustafë dhe Fatlum Hoxhën, si dhe Liridon Halilajn, se më 4 qershor 2014 grabitën në Drenas në barnatoren “Baby”, ku Prokuroria pretendon se me maska të zeza kanë grabitur 800- 850 euro.
Pika e pestë, ngarkon Mustafë dhe Fatlum Hoxhën se më 16 qershor 2014 në pompë të benzinës “Al Petrol” afër fshatit Poklek të Drenasit grabitën mbi 515 euro, e përsëri më 2 korrik që të dy dhe Liridon Halilaj pretendohet të kenë grabitur 300 euro në “Al Petrol” në Gllogoc, një sasi tjetër të të hollave, si dhe një Samung Galaxy. Më pas, këta të tre pretendohet të kenë kërkuar të holla tek arka, por meqenëse arka nuk ka pasur të holla, kanë marrë mbushje dhe shteka të cigareve.
Më tej, pika e shtatë e aktakuzës ngarkon Mustafë dhe Fatlum Hoxhën se më 7 korrik të vitit 2014 në kazinon “Matrix” në Prishtinë kanë marrë 500 euro dhe një telefon të tipit “Nokia”.
Pika e tetë ngarkon Mustafë e Fatlum Hoxhën, si dhe Liridon Halilajn se më 24 gusht të vitit 2014 në kazinon “Apex” në Fushë-Kosovë kanë grabitur 1.000 euro.
Ndërkaq, pika e nëntë e aktakuzës ngarkon tre të njëjtit se më 7 shtator 2014 në “Apex” në rrugën e Pejës po ashtu kanë arritur që nga një i dëmtuar të marrin 1.000 euro.
Së fundmi, pika e dhjetë e aktakuzës ngarkon Fatlum e Mustafë Hoxhën, si dhe Shpend Podrimçakun, se më 19 shtator 2014 në kazinon “Apex Game” në Drenas kanë grabitur 1.000 euro.
I pyetur për t’u deklaruar rreth fajësisë, Mustafë Hoxha pranoi fajësinë për pikën e tetë të akuzës.
Ndërkaq, i akuzuari tjetër, Liridon Halilaj, pranoi pikën e 8 dhe 9 të aktakuzës, ndërkaq për pikat tjera u deklarua i pafajshëm.
E Shpend Podrimçaku pranoi fajësinë për pikën e dhjetë të aktakuzës.
Këto pranime të fajësisë u pranuan nga ana e Gjykatës, andaj edhe u procedua me shqyrtim gjyqësor për pikat e tjera të akuzës për të cilat të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë.
Në fjalën hyrëse, prokurorja e rastit tha se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë nga prokurorja e kaluar para trupit gjykues të kaluar më datën 21 korrik 2015.
Derisa, të gjithë të dëmtuarit në këtë proces gjyqësor që ishin prezentë në sallë qëndruan pranë fjalës së tyre hyrëse, po ashtu të dhënë para trupit të kaluar gjykues, si dhe kanë qëndruar prapa kërkesave pasurore juridike.
Ndërkaq, përkundër tyre, avokati i Mustafë Hoxhës, Hasan Jashari, deklaroi se pafajësia e të mbrojturit të tij për të gjitha pikat e aktakuzës që nuk e ka pranuar fajësinë do të vërtetohet përgjatë shqyrtimit gjyësor.
Në fund të seancës, avokatët mbrojtës kërkuan zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj klientëve të tyre, për t’ua zëvendësuar me masë më të butë.
Këto propozime për heqjen e paraburgimit i kundërshtoi prokurorja e rastit, me arsyetimin se të akuzuarit ngarkohen me vepra penale që parashihet një dënim i lartë, si dhe një bashkëkryerës i tyre vetëm se gjendet në arrati.
Mirëpo, Gjykata mori vendim se në raport me Liridonin u zëvendësua me arrest shtëpiak, ndërkaq Shpend Podrimçakut iu zëvendësua masa e paraburgimit me atë të paraqitjes në stacionin policor.
Shqyrtimi i radhës u caktua për 23 maj.
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...