Të martën e 2 majit në Bruksel është miratuar Deklarata për të Pagjeturit nga Kosova dhe Serbia.
Me miratimin e kësaj Deklarate, palët janë dakorduar që të marrin obligimet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kjo marrëveshje po shihet si e mirëseardhur për Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Bekim Blakaj, në një intervistë për Arbresh.info ka deklaruar se edhe më herët Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të punojnë në drejtim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve, megjithatë, risi në këtë deklaratë, për Blakajn është publikimi i materialeve konfidenciale, të cilat janë pjesë përbërëse e arkivave.
“Një ndër pikat që është aprovu në këtë deklaratë, përmendet ofrimi i dokumentacioneve apo materialeve që mund të ndihmojnë procesin e hetimit për personat e zhdukur, materiale të cilat mund të jenë shënime, urdhra, video dhe audio materiale, mirëpo përmenden edhe diçka shumë e rëndësishme; materialet të cilat e kanë statusin konfidenciale dhe kjo është një risi. Nuk përmenden decidivisht arkivat, mirëpo besoj se bëhet fjalë për materiale që mund të gjenden në arkiva”, deklaroi Blakaj për Arbresh.info.
Sipas tij, nëse zbatohet kjo pikë e deklaratës, atëherë mund ta ketë një ndikim në procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
Blakaj: Të jemi të rezervuar për hapjen e arkivave nga Serbia, edhe më herët ata janë zotuar
I pyetur se a do i hapë përfundimisht Serbia arkivat, Blakaj theksoi se për këtë çështje opinioni publik në Kosovë duhet të jetë i rezervuar, meqë edhe në të kaluarën ka pasur zotime të palëve për hapjen e tyre, por ato kanë mbetur veç zotime, pa ndonjë veprim konkret.
Trupi monitorues që do krijohet nga Bashkimi Evropian (BE), për monitorimin e zbatimit, apo jo të marrëveshjes, sipas Blakajt është diçka shumë e mirë, si element i cili shtyn Serbinë që të publikojë dokumentet në lidhje me këtë çështje.
Deklaratën e miratuar, drejtori ekzekutiv i (FDHK) e sheh posaçërisht si vullnet të Kosovës dhe Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Nuk më duket që deklarata shkon përtej kësaj dhe nuk më duket që deklarata rregullon çështje tjera që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e njërës apo palës tjetër, me reparacione e me gjëra tjera”, tha ai.
Kritikat rreth kësaj deklarate, sipas tij, nuk janë të duhura, meqenëse kjo deklaratë nuk ka në fokus përgjegjësinë e ndonjërës palë në lidhje me personat e zhdukur.
Ai theksoi se instrumentet tjera janë ato që do të mund të merreshin me përgjegjësinë për zhdukjen e tyre.
Termi “forcibly dissapeared” i përdorur në deklaratë, ka ngritur zëra në ambientet mediale dhe publike në Kosovë, meqë “enforced dissapearences” është në Konventën Ndërkombëtare të OKB-së për mbrojtjen e personave të zhdukur me dhunë, dhe jo ai “forcibly dissapeared”.
E “enforced dissapearence” si term, nuk është përdorur në Deklaratën e miratuar të martën në Bruksel.
Që të dyja në shqip e kanë kuptimin e njëjtë, por terminologjia në gjuhën angleze i bën ato të dallojnë nga njëra-tjetra.
“Ka një dallim, kjo e dyta përdoret në Konventat Ndërkombëtare dhe në instrumentet ndërkombëtare për të zhdukurit dhe për fat të keq ajo nuk është në dokument. Mirëpo, të jem i sinqertë, unë nuk shoh ndonjë dallim të madh, eventualisht kjo mund të jetë një koncept pak më i gjerë, i cili gjithsesi përfshin edhe personat e zhdukur me dhunë”, tha Blakaj për Arbresh.info.
Pas 13 vjetësh dialog, shumica e viteve me dialog teknik, kjo është hera e parë që palët merren vesh për një deklaratë formale ku zotohen se çështjen e të pagjeturve do e trajtojnë me prioritet.
Për Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), presioni publik i bërë nga familjarët e të zhdukurve dhe shoqëria civile, ka ndikuar që Kosova ta kërkojë si kusht këtë temë.
Edhe pse kjo është hera e parë që ka deklaratë formale për këtë, kjo çështje nuk ka lënë pa u përmendur edhe në Qeverinë Hoti, gjegjësisht, në dialogun e zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, në administratën Trump.
Familjarët e të zhdukurve mund të besojnë nga tash se mund të ketë zhvillim në fatin e personave të zhdukur, bazuar në këtë deklaratë.
Sipas Bekim Blakajt, edhe Shoqëria Civile tash mund të ushtrojë më shumë presion në këtë drejtim.
“Tash edhe shoqërisë civile i është hapur një dritare, apo një derë ku mund të bëjmë pak më shumë presion në të ardhmen, sepse tash është një zotim në formë të deklaratës, zotim formal. Dhe ne mund të bëjmë pak më shumë presion dhe shpresoj që kjo do ndikojë që të ketë njëfarë kualiteti të ri në këtë proces të gjurmimit të fatit të personave të zhdukur”, deklaroi ai për Arbresh.info.
Në intervistën për Arbresh.info, Blakaj përfundoi se deklarata e miratuar në Bruksel konsiderohet si instrument për arritjen dhe realizimin e të drejtës së familjarëve që të dinë për fatin e më të dashurve të tyre, të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë./ Arbresh.info /EmirAbduramani/
Intervista e plotë
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...