Deklarata e Shefqet Krasniqit, Matoshi kërkon reagimin e presidentes e ministrave

09:02 | 14 Prill 2021
M. A.

Gazetari Halil Matoshi ka reaguar pas deklaratave të mbrëmshme të Shefqet Krasniqit për gratë, duke kërkuar edhe reagimin e presidentes, deputetëve e ministrave.

Në një shkrim në Facebook, Matoshi ka pyetur se ku janë gratë që kishin reaguar pas deklarimeve të depuetit të PDK-së, Ardian Kastratit.

“Kundër hoxhës “së ndritun” Shefqet Krasniqi, që thotë se gruja e ka vendin n’kuzhinë e burri n’odë, (dmth grueja s’guxon me u perzi ne sferën e Res Publica-s) asni protestë, pos Vlora Çitakut, as Presidentja as gratë deputete e ministre por as ato nga shoqnia civile, nuk po e çojnë kryet me kundërshtu!? Nuk po e çelin gojën! Sëpaku jo deri tash!?”, ka shkruar ai.

“Athu kjo heshtje âsht e ndikueme nga vota që e marrin nga “xhemati” i Krasniqit!? Krasniqi tha diçka fatale për barazinē gjinore, jo vetëm deklaratë që përkufizohet me misogjininë por ishte në thelb thirrje për shtypje të grave, shovenizëm klasik. Sëpaku, ato gra që sulmuen profesor Kastratin, ato duhej të bërtisnin sonte!? Hipokrizi. Shoqni në masë të madhe hipokrite”, tha Matoshi.

Kujtojmë se mbrëmë, Hoxhë Shefqet Krasniqi ka folur rreth raporteve ndërmjet dy gjinive teksa shpjegonte siç tha ai “përshtatshmërinë e Kuranit me zhvillimet bashkëkohore”.

Madje Krasniqi në Debat Plus të Dukagjinit ka bërë një interpretim fyes e diskriminues ndaj grave duke thënë se kuzhina është e grave.

“Ne mburremi me gratë tona, me Shotë Galicën, nënën Zahide. Pse a s’ka burra kuzhinier që e bëjnë bukën për mrekulli më mirë se gratë? Megjithatë, ajo që është e përgjithshme në kuzhinë, se kuzhina është e grave”, tha imami Krasniqi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme