Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka reaguar pas lajmit të djeshëm se Franca i ka pezulluar përkohësisht vizat për Kosovën.
Me anë të një statusi në Facebook, deputeti ka drejtuar gishtin nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), ku sipas tij akoma pa u konfirmuar lajmi kanë dalur me deklarata kundër kryeministrit, Albin Kurti.
“LDK-ja pa e konfirmuar mirë lajmin për “pezullimin” e liberalizimit të vizave për Kosovën, del me deklarata e kritika kundër kryeministrit Kurti. “Na humbi liberalizimin e vizave” dolën e thanë. Ta merr mendja që LDK është arsyeja që ndodhi liberalizimi. Liberalizimi është rezultat i punës, jo llafeve. Rezultatit i luftimit të krimit dhe korrupsionit”, shkruan Bajqinovci.
Tutje ai shkruan se opozita kosovare nuk duhet të ushqejë diskurs të gabuar që shkon në drejtimin e promovimit të idesë se liberalizimi i vizave.
“Opozita kosovare, nuk duhet të ushqejë diskurs të gabuar që shkon në drejtimin e promovimit të idesë se liberalizimi i vizave është më i rëndësishëm se sovraniteti i vendit, si në të kaluarën”, shkruan deputeti, përcjell Arbresh.info
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovë”.
“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.
Nga disa media në Kosovë dhe Shqipëri është raportuar se Macroni ka deklaruar në Tiranë se Franca ka suspenduar vendimin për liberalizimin e vizave.
Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.
Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.
Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë konferencës për media në Shqipëri, ai tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën.
“Është përgjegjësi e [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi. Dhe, në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, tha Macron.
Ministria e Punëve të Jashme ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron lidhur me vizat për Kosovën.
Në një përgjigje për Arbresh.info, ministria ka thënë se nuk kanë marrë asnjë vendim zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave nga Franca.
“Sa i përket pyetjeve tuaja, lidhur me deklaratën e bërë sot nga Presidenti i Francës, z. Macron, e cila duket madje edhe të jetë interpretuar gabimisht, ju njoftojmë se institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave.”, thuhet në përgjigje e ministrisë.
Tutje, ministria sqaron se vendimet për miratim, pezullim apo shtyrje të liberalizimit të vizave merren në nivel të Bashkimit Evropian, e jo të shteteve anëtare.
“Vendimet për miratim, pezullim apo shtyrje të liberalizimit të vizave merren në nivel të Bashkimit Evropian, e jo të shteteve anëtare. Procedurat e tilla i kanë afatet e caktuara kohore dhe vendimet merren me shumicën e paraparë të votave.”, thuhet tutje.
MPJD thekson se nuk kanë marrë ndonjë informacion që një procedurë e tillë të jetë kërkuar apo nisur lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës./Arbresh.info/
“Franca pezulloi vizat për Kosovën”, Macron: Pres përgjegjshmëri nga Kurti e Vuçiç
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?