Për Bashkimin Evropian vlerësimi i Komisionit për çështjen e vizave sa i përket Kosovës, mbetet i qartë që nga korriku i vitit 2018.
Kështu bëri të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për Arbresh.info, duke iu referua deklaratës së presidentit të Francës, Emannuel Macron për rishikim të vizave për Kosovën nëse palët (Kosova dhe Serbia) nuk sillen me përgjegjësi.
Edhe pse nuk komentoi deklaratën e presidentit Macron, Stano tha për Arbresh.info se autoritetet e Kosovës kanë punuar shumë në përmbushjen e standardeve dhe vazhdimisht kanë shfaqur vendosmërinë e tyre.
“Komisioni nuk komenton komentet. Komisioni mirëpret marrëveshjen e bashkë-ligjvënësit në prill të këtij viti për udhëtimin pa viza për Kosovën. Autoritetet e Kosovës kanë punuar fortë në përmbushjen e standardeve dhe vazhdimisht kanë shfaqur vendosmërinë e tyre. Vlerësimi i Komisionit ishte i qartë që nga korriku 2018. Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave.”, tha ai.
Tutje në përgjigjen e Komisionit thuhet se marrëveshja e arritur parashikon që liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë efektiv me hyrjen në veprim të ETIAS dhe në çdo rast jo më vonë se 1 janari 2024.
Ndryshe, Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politike të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.
“Franca është një ndër vendet kryesore të Bashkimit Evropian bashkë me Gjermaninë, pozicioni i tyre politik duhet t’i shqetësojë të gjitha institucionet e Kosovës. Unë kam parë shumë analiza që kjo mund të bëhet, apo nuk mund të bëhet. Natyrisht, që mund të bëhet gjithçka sa i përket Bashkimit Evropian që Franca e sponsorizon. Institucionet e Kosovës duhet ti marrin shumë me seriozitet qëndrimet e liderëve evropianë. Franca është ndër shtetet që e ka ndihmuar Kosovën, kanë marrë pjesë në bombardime dhe është shteti i pestë që e ka njohur Kosovën dhe kritikat që vijnë nga Franca meritojnë një reagim më diplomatik dhe një reagim më miqësor se sa çfarë ishte reagimi nga Kosova”, ka deklaruar ai./Arbresh.info/Erolinda Gashi/
LEXO EDHE