Google ADS

Deklarata e Kurtit për SHBA-në, reagon Haradinaj: Përpjekje për të fshehur mospajtimet e tij në sferën e sigurisë

16:52 | 20 Shkurt 2024
E.H

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka komentuar deklaratën e kryeministrit, Albin Kurti i cili ka thënë se “jo për gjithçka pajtohemi me SHBA-në”.

Haradinaj këtë deklaratë e ka cilësuar si përpjekje dëshpëruese të Kurtit për të fshehur mospajtimet e tij, pikërisht aty ku nuk duhet, në sferën e sigurisë, përcjell Arbresh.info.

“E para, Kosova është aleat në çështjet e sigurisë globale dhe kjo nuk mund të ndryshojë asnjëherë, pavarësisht se kush është në krye të qeverisë. Kjo është, jo vetëm përcaktim por edhe orientim i pandryshueshëm i yni. Deklaratat e Kryeministrit se, jo për gjithçka pajtohemi me Shtetet e Bashkuara, janë përpjekje dëshpëruese të tij për të fshehur mospajtimet e tij, pikërisht aty ku nuk duhet, në sferën e sigurisë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Për sigurinë, nuk mund të ketë as dallime e as mospajtime me partnerët! Siguria e Kosovës dhe Rajonit, garantohet vetëm duke qenë të bashkuar me aleatët, posaçërisht me ShBA dhe duke u bërë pjesë e NATO-s”, ka shtuar kreu i AAK-së./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme