Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet ta japë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën si shenjë e besimit të ndërsjellë, në të kundërtën thotë se mund të ketë ndonjë lloj destabilizimi. Ai gjithashtu e ka konfirmuar se ka vende anëtare të BE-së, të cilat janë skeptike për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën dhe thotë se duhet punuar shumë për t’i bindur se kosovarët meritojnë të lëvizin pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ditëve të fundit në Kosovë janë shtuar zërat se mund të shtyhet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, edhe përkundër premtimeve të shumta se një gjë e tillë do të ndodhë brenda këtij viti.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Sholtes. Ai në një përgjigje për Gazetën Express e ka pranuar se nuk ka konsensus brenda BE-së për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Ne nuk mund ta mashtrojmë veten tonë dhe të themi se ka konsensus të qartë sa i përket shteteve anëtare të BE-së, dhe të themi se të gjitha janë në të njëjtën anë sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka thënë Sholtes.
Si pasojë e kësaj, Sholtes thotë se duhet një angazhim shumë i madh për t’i bindur këto shtete skeptike se kosovarët meritojnë të lëvizin pa viza.
“Kjo është arsyeja se pse ka shumë punë për t’u bërë, që të binden shtete anëtare të BE-së që janë skeptike, se Kosova e meriton liberalizimin e vizave dhe se një gjë e tillë duhet të mbështetet edhe në Këshill. Duhet të shfrytëzohen argumente dhe fakte të fuqishme se pse Kosova dhe populli kosovar meritojnë heqjen e regjimit të vizave”, ka shtuar ai.
Ai thotë se janë duke punuar shumë që Kosova të marrë liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur, duke thënë se një gjë e tillë do të duhej të ndodhte si shenjë mirëbesimi të ndërsjellë, pasi siç thotë ai në të kundërtën mund të ketë ndonjë lloj destabilizimi.
“Parlamenti Evropian dhe unë, jemi duke punuar vërtet shumë që Kosova të marrë liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur. Komisioni Evropian dhe gjithashtu edhe Parlamenti Evropian i kanë dhënë dritën e gjelbër, duke konfirmuar qartë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave. Po shpresoj që vendet anëtare të BE-së ta kuptojnë nevojën që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave, gjë që gjithashtu do të ishte një gjë ‘fair play’ për t’u bërë. Në të njëjtën kohë do të ishte një shenjë e besimit të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe BE-së, i cili është shumë i mirëseardhur dhe i nevojshëm. Askush nuk dëshiron që të ketë ndonjë lloj destabilizimi për shkak të mungesës së besimit ndërmjet dy palëve”, ka potencuar Sholtes në një përgjigje për Gazetën Express.
Megjithatë, Sholtes është i bindur plotësisht se liberalizmi i vizave për Kosovën do të ndodhë brenda këtij viti.
Gazeta Express për të njëjtën çështje ditë më parë ka kontaktuar dhe me zyrën e Përfaqësuesit të Përhershëm të Austrisë në Bashkimin Evropian, Nikolas Marschik.
Duke qenë se Austria aktualisht është duke kryesuar me presidencën e Bashkimit Evropian, çështja e liberalizimit të vizave në Këshill të Evropës pritet të iniciohet nga austriakët.
Në përgjigjen e dhënë nga ambasadori Marschik është thënë se aktualisht çështja e liberalizimit të vizave është duke u diskutuar në nivel të ekspertëve, më pas do të kalojë edhe në nivel të ambasadorëve, dhe varësisht nga rezultati i këtyre diskutimeve, do të vendoset nëse do shtyhet përpara si çështje në Këshillin e Ministrave.
Dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën ditë më parë e kishte dhënë Parlamenti Evropian. Gjithashtu edhe në Komitetin për Punë të Jashtme (AFET) ishte miratuar me shumicë votash raporti i vitit 2018 për Kosovën. Sholtes pas atij votimi kishte thënë se ai votim është një shenjë shumë e mirë se Kosova është shumë pranë liberalizimit të vizave.
Dje ministrja për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha, kishte thënë se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën mund të shtyhet. Gjatë ditës ajo kishte zhvilluar takime të ndryshme me zyrtarë të lartë të BE-së, më të cilët kishte diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave.
KOSTT: Rikthehet furnizimi me rrymë në Gjilan
Rriten rastet e norovirusit në ShBA
Haradinaj e çon Specialen në Gjykatën e Strasburgut
Ronaldo këshillon lojtarët e Man Cityt se si ta tejkalojnë k...
Vendoset gurthemeli i çerdhes së re në Rekë-Vatë të Komunës ...
Rama: Plan strategjik për integrimin në BE, negociatat i mby...