“Në aspektin e organizimit të pushtetit, e ka konstitucionalizuar lojën politike, do të thotë, rregullat e lojës politike që ekzistojnë në çdo shoqëri, me të cilat në fillim ka pasur probleme. Në mënyrë graduale, për këto dhjetë vjet është krijuar standardi i formimit të organeve, por edhe i shpërbërjes, përgjegjësisë kushtetuese të organeve dhe kështu me radhë. Në sferën e lirive dhe të drejtave kushtetuese, kjo dekadë, po ashtu ka shënuar një kualitet të ri, një sukses të ri. Kushtetuta është provuar dhe është parë se ka fuqi normative edhe në sferën e të drejtave të njeriut”, tha Hasani.
Ai ka shtuar se ngecjet në funksionalizimin e Kushtetutës janë shënuar për shkak të keqkuptimeve të diversitetit etnik, kulturor dhe gjuhësor, që e sanksionon Kushtetuta. Sipas tij, ende është e nevojshme që qytetarët dhe forcat politike, ta kuptojnë që zbatimi i Kushtetutës dhe vënia e saj në jetë nënkupton barazinë për të gjithë dhe mosdiskriminim ndaj askujt.
Ish-anëtari i Komisionit për hartimin e Kushtetutës, profesor Arsim Bajrami, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë dhjetë vjetëve Kushtetuta e Kosovës, përveç krijimit të bazës për ndërtimin e shtetit dhe institucioneve shtetërore, ka mundësuar ndërtimin e një sistemi të pavarur ligjor dhe kushtetues.
Por, sipas tij, gjatë kësaj dekade janë shënuar edhe ngecjet dhe sfidat përballë Kushtetutës.
“E para, kjo Kushtetutë edhe pas një dekade nuk ka arritur të shtrihet në tërë territorin e Kosovës, pra të shtrijë sovranitetin e Kosovës, sidomos në veri të vendit, ku ka pasur bllokada dhe obstruksione të Serbisë, përmes komunitetit serb. E dyta, një nga sfidat e kësaj Kushtetute, kanë qenë edhe krizat kushtetuese, të cilat kanë ardhur kryesisht nga lidershipi i vendit, nga partitë politike që kanë krijuar kriza artificiale kushtetuese, duke e sfiduar dhe duke e shkelur Kushtetutën, në nivele shumë të larta. Kjo tregon që nuk kemi arritur të ndërtojmë një kulturë kushtetuese dhe kulturë institucionale të respektimit të Kushtetutës”, tha Bajrami.
Profesor Bajrami ka shtuar se sfida e tretë ndaj Kushtetutës së Kosovës ka qenë dhe mbetet keqpërdorimi i të drejtave kushtetuese të komunitetit serb, sidomos keqpërdorimi i votimit të dyfishtë, i cili ka qenë element përmes të cilit është bllokuar vendimmarrja për themelimin e disa institucioneve kushtetuese.
Gjatë këtyre dhjetë vjetëve, jo rrallë janë shënuar edhe shkelje të Kushtetutës së Kosovës. Por, kush kanë qenë shkelësit më të mëdhenj?
Profesori Hasani thotë se ka pasur dy lloj shkeljesh të Kushtetutës, shkelje me efekt sistematik dhe me efekt lokal.
“Këto shkelje që kanë pasur efekt sistematik, janë kryer nga organet e pushtetit qendror dhe kanë qenë më të rralla, por më të dhimbshme dhe më të rënda. Ata kanë lënë një shije të keqe në historinë kushtetuese të Kosovës. Të gjithë e dimë çështjen e dy presidentëve, çështjen e kryetarit të Kuvendit dhe kështu me radhë”, tha Hasani.
Ndërkaq, profesor Bajrami thotë se edhe pas 10 vjetësh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, por edhe nga miratimi i Kushtetutës së vendit, ende nuk mbretëron kultura ligjore dhe kushtetuese.
Shkeljet kushtetuese, sipas tij kanë ardhur nga të gjitha institucionet e pushtetit, Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë dhe pushtetit lokal.
“Kemi pasur shkelje gati se masive të Kushtetutës nga institucionet, gjë që nuk është mirë për në shoqëri të re demokratike, sepse respekti për Kushtetutën, duhet të vijë në radhë të parë nga shteti e pastaj edhe nga qytetarët e Kosovës. E tëra kjo na bën të mendojmë që duhet të investojmë shumë që institucionet tona të jenë mbrojtëse të Kushtetutës, të ngritin standardet e qeverisjes së mirë dhe praktikisht ta zbatojnë demokracinë kushtetuese, sepse demokracia jonë është demokraci e re parlamentare, e cila tërësisht bazohet në rregullat dhe parimet që i përcakton Kushtetuta e Kosovës”, theksoi Bajrami.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar më 9 prill të vitit 2008, bazamentin e ka në Dokumentin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera.
Xheneta kritikon ashpër Gjestin, ky i fundit fillon të qajë
Zelensky: Macron po na ndihmon në konsultimet lidhur me misi...
Cambridge largohet nga Trepça, mitrovicasit kanë një emër pë...
Struktura fetare e Kosovës: 93.49 % të besimit islam, 2,31 %...
Rriten rastet e braktisjes së shkollës në Kosovë
Profesori Koser: Kosova shembull që duhet ndjekur nga shtete...