Dedaj udhëton me njeriun që dikur e akuzonte për torturim

21:56 | 7 Maj 2018
M. A.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtëm, Gjergj Dedaj i cili sot është duke udhëtuar së bashku në një avion me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dikur e akuzonte për maltretim fizik dhe psikik.

Në një intervistë në një prej emisioneve në televizionet tona, Gjergj Dedaj i cili është kryetar i Partisë Liberale të Kosovës, (PLK), kishte treguar se në dhjetor të vitit 2011 e kishte denoncuar Hashim Thaçin se në vitin 1998 kishte ushtruar, për tri ditë e tri net, maltretim fizik, psikik dhe moral ndaj një delegacioni që vizitonte Drenicën.

“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas malltretim fizik, psiqik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam malltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, kishte rrëfyer Dedaj në emisionin Rubikon në KTV në dhjetorin e vitit 2011, pak ditë pasi Thaçi e kishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit të Transportit.

Mirëpo sot ata së bashku kanë realizuar “një fluturim blu”, shkruan Isnajderi.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Dedaj ka shkruar se janë së bashku me presidentin Thaçi në një fluturim blu.

“Misioni euroatlantik vazhdon…! Nje fluturim blu,Presidenti tutje per Bruksel dhe Berlin,ku pritet t’a takoje Zonjen Angela Merkel, Kancelare e Gjermanise,ndersa une per nje vizite pune ne Kroaci !”, ka shkruar Dedaj.

Gjergj Dedaj njihet si një nga njerëzit që ka zënë postin e zëvendësministrit në çdo qeveri e cila ka ardhur në pushtet.

Ai njihet për shumë skandale.

Insajderi kishte publikuar një hulumtim vitin e kaluar lidhur me mashtrimin që i kishte bërë Dedaj një bashkatdhetari në Berlin duke i kërkuar një borxh prej 400 eurove të cilin nuk i’a kishte kthyer.Mirëpo Dedaj nuk ishte ndalur me kaq.

Gjatë vitit 2010, ai ishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit në Ministrinë e Transportit, nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, nën dyshimin se ka keqpërdorur paratë e Ministrisë së Punës, në kohën sa në këtë dikaster mbante pozitën e zëvendësministrit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme