Google ADS

Deda: Nëse Kosova dështon në dialogun me Serbinë, faji do t’i veshet opozitës

23:57 | 27 Qershor 2018
Arbresh.info

Ilir Deda, deputet i Alternativës, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi do të vazhdojë me udhëheqjen e palës kosovare në dialogun Kosovë-Serbi, pasi që në skenën politike s’po ofrohen emra konensualë.
Sipas tij, asnjëra parti opozitare nuk e do Thaçin në krye të ekipit të Kosovës, por të gjitha po heshtin kur kërkohet ndonjë emër konsensual që duhet të udhëheqë dialogun.

Nëse Kosova dështon në dialog, sipas Dedës, fajtore është opozita.

“Faji do të jetë i opozitës. Ne po jemi të paaftë që të ofrojmë agjendë për këtë vend, në kohën kur kurrë më të fortë s’kemi qenë sa i përket numrave”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas Dedës, Kosova s’ka shumë kohë për të ofruar emër konsensual që të udhëheqë dialogun në emër të Kosovës.

“Nuk mendoj që medoemos t’ia japim mandatin Thaçit, por nuk kemi shumë kohë që të presim deri shtator apo tetor që të arrijmë konsensus. Neve na është thënë se nëse e kundërshtojmë Thaçin hajde kënd po e qojmë. Por në këtë skenën politike të Kosovës, ka vdekur politikbërja, ne kemi vdekje klinike të politikës. Jemi pa koordinim komplet duke mos e kuptuar se po ikin minutat drejt një finaleje me Serbinë, e që nëse jemi në situatën sikur tash nuk do të jetë e favorshme për ne”, ka thënë Deda.

“Ne jemi kundër Thaçit. Nuk do ta mandatonim, por asnjëra parti opozitare s’po ofron emër. Ne jemi katër parti opozitare që jemi kundër Thaçit. Jemi 64 deputetë që s’e mandatojmë Thaçin. Por kë po e duam? Këtu është problemi i jashtëzakonshëm ku hyjnë disa që nuk mund t’i quaj as politika partiake. Edhe kjo opozitë që dëshiron të vijë në pushtet, s’është e aftë të japë emër konsensual për të udhëhequr dialogun”, ka shtuar ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme