Google ADS

Deda i thotë Thaçit: S’ke mandat për të shkuar në Bruksel

16:51 | 19 Qershor 2018
M. A.

Të paktë janë ata që po e duan shefin e shtetit në krye të bisedimeve të delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë. Por, pavarësisht kësaj, ky i fundit po e vazhdon avazin e vjetër të mos marrjes në konsideratë të asaj se çfarë mendojnë partitë politike. Thaçi të dielën do të shkojë në Bruksel. Ilir Deda thotë se duke mos qenë i mandatuar, çdo marrëveshje që sjell Presidenti , nuk prodhon obligim për Kosovën.

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, insiston se kreut të shtetit i duhet mandatimi që të veprojë si kryenegociator në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke e komentuar takimin e ardhshëm të së dielës mes presidentit kosovar dhe atij nga Serbia, Aleksander Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Mogherini, Deda thekson se ai për të filluar bisedimet me Vuçiqin, i duhet miratimi i Parlamentit.

“Thaçit i duhet mandatimi i Kuvendit që të bisedoje në emër të Kosovës me Vuçiqin. Pa këtë mandat, ai mund të flasë vetëm në emër të vet, e jo të Kosovës, dhe rrjedhimisht asnjë lloj marrëveshje e tij – çfarëdo qoftë ajo – nuk prodhon asnjë obligim për Republikën e Kosovës”, u shpreh Ilir Deda për Express, të martën.

Njësoj mendon edhe Vjosa Osmani deputete e LDK’së. Pak më herët, ajo sqaroi për gazetën Express se pa mandatim të Kuvendit, ai mund të flasë vetëm në emrin e tij personal.

“Thaçi, pa u mandatuar nga Kuvendi, mund të flasë e negociojë vetëm në emër të tij personal, por jo në emër të Kosovës”, u shpreh ajo.

Takimin e së dielës, sot, e kanë konfirmuar edhe në Bruksel. Zyra e Federica Mogherinit ka dalë me komunikatë ku është konfirmuar se të dielën në Bruksel do të takohen Thaçi e Vuçiq.

Mogherini dhe presidentët thuhet se do të vazhdojnë punën e tyre për normalizim të raporteve, do të shqyrtojnë marrëveshjet ekzistuese dhe do të diskutojnë hapat në vazhdim të një faze intensive të bisedimeve.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme