Partia Alternativa për Gjermaninë kërkon anulimin e Rregullores së Ballkanit Perëndimor për shkak të pandemisë. Por kjo kundërshtohet nga shumica.
Partia djathtiste në Bundestag, Alternativa për Gjermaninë, AfD, ka kërkuar të mërkurën me anë të një mocioni në parlamentin gjerman anulimin e Rregullores së Ballkanit Perëndimor.
Argumenti kryesor është kriza ekonomike dhe papunësia e shkaktuar nga pandemia.
Deputeti i kësaj partie, Rene Springer, tha në fjalën e tij të mërkurën pasdite, se fuqia punëtore nga Ballkani Perëndimor ul pagat e vendasve.
Sipas tij punëtorët që vijnë me këtë rregullore marrin deri në 900 euro në muaj më pak se kolegët e tyre gjermanë.
”Kjo rregullore është ulje page me mbështetje nga shteti dhe ju bëni sikur nuk shikoni”, tha Springer.
Por deputeti djathtist tha se rregullorja nuk është e dëmshme vetëm për Gjermaninë, por edhe për vendet e Ballkanit, prej të cilëve po largohet fuqia punëtore.
Ai përmendi ndër të tjera Kosovën, ku “largimi i personelit shëndetësor e ka çuar sistemin shëndetësor në një gjendje alarmante”, raporton Deutsche Welle përcjell Klan Kosova.
Refuzimi i kërkesës
Kërkesa e deputetëve të AFD u hodh poshtë nga kolegët e partive të tjera.
Ata të gjithë vunë në dukje se Rregullorja e Ballkanit Perëndimor nuk përbënte aspak konkurrencë për gjermanët, pasi një nga kushtet për t’u pajisur me vizë pune sipas kësaj rregulloreje është leja e punës.
Këtë kandidati e merr vetëm nëse për profesionin e tij nuk ka konkurrentë vendas.
“Këtu asnjë ballkanas nuk i merr vendin e punës ndonjë gjermani”, tha Daniela Kolbe nga parita socialdemokrate.
Deputeti i partisë liberale, Johannes Olpe, tha se qëllimi i këtij mocioni nuk është kontrolli mbi migracionin, siç pretendonte AfD, por antipatitë nda popujve të tjerë.
Deputeti i grupit parlamentar CDU/CSU, Marc Biadasz, tha se me këtë mocion AfD do thjesht të nxisë frikë.
Rregullorja e Ballkanit Perëndimor u miratua në vitin 2016 dhe u lejon imigrantëve nga Ballkani të vinë në Gjermani edhe nëse kanë kualifikime të ulëta.
Kusht është që të kenë kontratë pune në Gjermani.
Për momentin e pezulluar
Duke filluar nga ky vit ajo është zgjatur deri në vitin 2023. Dhe numri i imigrantëve që mund të vijnë në Gjermani me këtë rregullore është kufizuar deri në 25.000 në vit.
Që prej gati një vit, për shkak të krizës së koronës, dhënia e vizave në ambasada mbi bazën e kësaj rregulloreje është pezulluar.
Por edhe më parë, procedura e dhënies së vizave ishte shumë e stërzgjatur.
Ulla Jelpke nga partia e Majtë, u ankua pikërisht për këtë dhe kërkoi që punëtorëve t’u jepet mundësia që t’i marrin vizat në Gjermani, dhe të mos presin nëpër ambasada.
Edhe liberalët duan t’i përshpejtojnë procedurat e dhënies së vizave.
Grupi parlamentar i tyre gjithashtu paraqiti një mocion ku kërkonte përshpejtimin e vizave dhe zgjatjen e rregullores deri në vitin 2025.
Të dy mocionet iu kaluan për këshillime komisioneve përkatëse.
Nwaneri në histori të Arsenalit, Arteta me fjalë të mëdha pë...
LDK sot në Malishevë me “Turneun e Ndryshimit”
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Driloni, Anisës: Po tutem që të shikoj
Zelensky kërkon më shumë sisteme për mbrojtje ajrore të Ukra...