Google ADS

Daut Haradinaj: Demarkacioni nuk do të votohet nga deputetët

17:40 | 1 Mars 2017
M. A.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë ka bërë të ditur se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi shumë shpejtë do të procedohet në Kuvend. Për këtë, Mustafa ka shprehur bindjen se koalicioni qeveritar i ka votat e mjaftueshme për ta kaluar Demarkacionin. Por ndryshe mendon opozita kosovare.

“Qeveria e Kosovës nuk i ka siguruar votat për Demarkacionin, e as nuk ka me i kaluar ky proces se është i dëmshëm për Kosovën”, kështu po thotë deputeti i Kuvendit të Kosovës nga AAK, Daut Haradinaj.

Sipas tij, Qeveria ka gabuar me versionin për Demarkacionin, por deputetët nuk do të gabojnë. Haradinaj shprehu sigurinë se edhe deputetët e koalicionit qeverisës do t’i thonë jo demarkacionit me Malin e Zi.

“Nëse Qeveria ka gabuar me këtë version atëherë deputetët nuk do të gabojnë. Deputët nuk kanë asnjë arsye për t’i dhënë mbështetje këtij versioni të demarkacionit. Jemi duke u përballë me këtë betejë që një kohë të gjatë dhe ka ardhur koha që ta marrim nën kontrolle. Edhe votimi kundër kësaj çështje do të ishte zgjidhje”, ka thënë Haradinaj për Gazetën Express.

E njëjtë mendon edhe partia tjetër opozitare në vend, NISMA. Deputeti i kësj partie, Zafir Berisha ka thënë për Express se kanë marrë siguri nga disa deputet të e PDK’së dhe LKD’së se nuk do ta japin votën e tyre pro kësaj çështjeje.

“Me gjuhën e argumenteve dhe fakteve dhe meqë jemi në kontakt ë përgjithshëm me kolegët nga mazhoranca janë të gatshëm që këtë version të demarkacionit mos ta votojnë në Kuvend. Përderisa kemi garanci nga një numër i madh i deputetëve të mazhorancës nuk kemi nevojë për masa shtesë”, ka thënë Zafir Berisha.

Kujtojmë se kryeministri Mustafa ka paralajmëruar se brenda ditësh qeveria do ta procedojë Marrëveshjen në Kuvend me qëllim të votimit të saj, duke i hapur rrugën, siç thotë, “liberalizimit të vizave për qytetarët”, një kusht ky i vendosur nga Komisioni Evropian që në muajin maj të vitit të kaluar për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në BE.

Kjo marrëveshje, përveç çështjes së shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, është përcaktuar nga Komisioni Evropian si kriter i pazëvendësueshëm që duhet ta plotësojë Kosova për t’u përfshirë në liberalizimin e vizave.

Marrëveshja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e nënshkruar me praninë ndërkombëtare në verën e vitit 2015, është kundërshtuar fuqishëm nga opozita në Kosovë dhe së fundi edhe nga një pjesë e deputetëve të koalicionit qeveritar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme